Botë

Bidenit i është hequr një lezion kanceroz nga lëkura

Presidentit amerikan, Joe Biden, i është hequr një lezion kanceroz i lëkurës muajin e kaluar, gjatë një kontrolli rutinor shëndetësor, ka bërë të ditur Shtëpia e Bardhë.

I gjithë indi kanceroz u hoq dhe nuk kërkohet trajtim i mëtejshëm, ka thënë mjeku i Bidenit.

Presidenti amerikan do të vazhdojë mbikëqyrjen dermatologjike si pjesë e kujdesit të tij shëndetësor të vazhdueshëm, shtoi mjeku.

Presidenti, 80 vjeç, kishte një ekzaminim fizik në shkurt, për të cilin Shtëpia e Bardhë tha se e gjeti atë të shëndetshëm dhe "të aftë për detyrën".

Kevin O'Connor, mjeku i Bidenit, shkroi në një shënim të dhënë për mediat të premten se lezioni u hoq nga gjoksi i Bidenit më 16 shkurt në Qendrën Mjekësore Ushtarake Kombëtare, Ëalter Reed jashtë Ëashington DC.

"Nuk kërkohet trajtim i mëtejshëm”, ka thënë ai, duke shtuar se zona është "shëruar mirë" që nga marrja e biopsisë.

Shënimi thoshte se lloji i kancerit të gjetur - karcinoma e qelizave bazale, normalisht nuk përhapet, ose nuk jep metastaza.

Karcinoma e qelizave bazale dhe skuamoze janë dy format më të zakonshme të kancerit të lëkurës në SHBA, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

I diagnostikuar në 3.6 milionë amerikanë çdo vit, është forma më e shpeshtë e të gjitha llojeve të kancerit, sipas Fondacionit për Kancerin e Lëkurës. Është me rritje të ngadaltë, i shërueshëm dhe shkakton dëme minimale nëse trajtohet herët.

Në janar, gruas së Bidenit, Zonjës së Parë Jill Biden, iu hoqën tre lezione, ku dy prej tyre më vonë u testuan pozitive për karcinomën e qelizave bazale.

Bidenit i janë hequr disa kancere të lëkurës jo melanoma, përpara se të bëhej president.

Bidenët kanë qenë prej kohësh avokatë të fortë për të luftuar dhe kuruar kancerin. Djali i tyre i rritur, Beau, vdiq në vitin 2015 nga kanceri i trurit.