Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Bideni të premten bisedon me presidentin kinez Xi

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, do të flasë me presidentin e Kinës, Xi Jinping, të premten për të diskutuar për luftën në Ukrainë dhe për çështje tjera të shqetësimit të përbashkët, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë, raporton agjencia AP.

Kjo bisedë vjen pasi zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se Kina mund të ketë vendosur t’i ofrojë Rusisë përkrahje ekonomike e financiare gjatë luftës në Ukrainë.

Këshilltari amerikan i sigurisë kombëtare, Jake Sullivan, është takuar me homologun e tij Yang Jiechi, më herët këtë javë, në një bisedë intensive 7-orëshe, për të paraqitur rastin e SHBA-së kundër pushtimit rus.

Një burim i afërt me këtë bisedë tha se kinezët kanë “vendosur tashmë për të ofruar ndihmë ekonomike e financiare”.

Por, ai tha se pyetja është nëse do të shkojë mëtutje.

Më herët sot, një zyrtar kinez kritikoi sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, për komentet e tij se Kina ka obligim si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të ndihmojë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Duke folur pas takimit të djeshëm të ministrave të mbrojtjes të NATO-s, Stoltenberg, i bëri thirrje Kinës ta dënojë pushtimin rus të Ukrainës dhe të mos e përkrahë.

Mirëpo, Misioni i Kinës në BE erdhi reagimi.

“Nuk kemi nevojë për ligjërata nga abuzuesi i të drejtës ndërkombëtare. NATO po vazhdon ta zgjerojë fushëveprimin gjeografik dhe duhet të ketë një reflektim të mirë”, është thënë nga Misioni.

Deklarimet iu referuan bombaradimit aksidental të Ambasadës së Kinës në Beograd në vitin 1999 nga NATO, ku vdiqën tre gazetarë.

Artikuj të ngjashëm