Botë

Bideni, presidenti i unitetit dhe lidershipit amerikan në botë

“Duhet t’i japim fund kësaj lufte civile – të kuqes ndaj të kaltrës, rurales kundruall urbanes, konservatores përballë liberales”, ka thënë Bideni në adresimin 21-munutësh të inaugurimit në Capitol të Washingtonit. “Mund ta bëjmë këtë, po qe se hapim shpirtin, e jo nëse i mbyllim zemrat, në rast se tregojmë pak tolerancë dhe njerëzi, dhe nëse jemi të gatshëm të vihemi në pozitën e njëri-tjetrit, siç do të thotë nëna ime, vetëm për një moment”

Washington, 20 janar (Reuters) – Joseph Robinette Biden Jr. ka bërë betimin të mërkurën si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e marrë detyrën në kohën më të ndjeshme ekonomike dhe shëndetësore e krizave politike, me premtimin për të kërkuar unitet pas katër vjetëve të trazuar që e rrënuan shpirtin amerikan.

Me dorën e djathtë vendosur mbi Biblën që familja e tij e kishte në posedim për 128 vjet, Bideni recitoi betimin 35-fjalësh për ta “ruajtur dhe mbrojtur Kushtetutën”, në një ceremoni të administruar nga kryeprokurori i Gjykatës Supreme, John G. Roberts Jr.

Rituali i betimit të tij u mbajt vetëm pak minuta pasi që Kamala Devi Harris u betua për zëvendëspresidente para gjykatëses Sonia Sotomayor, me dorën vendosur mbi Biblën që dikur i përkiste Thurgood Marshallit, ikonës së të drejtave civile dhe gjykatësit të Supremes. Me këtë, Harrisi u bë gruaja e rangut më të lartë në historinë e SHBA-së dhe afroamerikania, njëherësh aziatikoamerikania e parë që e mban postin e dytë më të lartë në vend.

“Ngadhënjimi i demokracisë”

Image

Në adresimin e tij inaugurues, Bideni deklaroi se “demokracia ka ngadhënjyer” pas sprovës së paraqitur ndaj sistemi nga presidenti i mposhtur, Donald Trump, i cili ia mësyu përmbysjes së rezultateve zgjedhore dhe i trimëroi turmat e përkrahësve që ta bastisnin Capitolin dy javë më parë për ta bllokuar numërimin përfundimtar. Por, ai u bëri thirrje amerikanëve që t’i linin prapa supeve ndasitë e thella dhe të errëta dhe të bashkoheshin në konfrontimin ndaj pandemisë së koronavirusit, tkurrjes ekonomike dhe shpërthimit të racizmit.

Lexo edhe: Bideni nënshkruan vendimet e para

“Duhet t’i japim fund kësaj lufte civile – të kuqes ndaj të kaltrës, rurales kundruall urbanes, konservatores përballë liberales”, ka thënë Bideni në adresimin 21-munutësh. “Mund ta bëjmë këtë, po qe se hapim shpirtin, e jo nëse i mbyllim zemrat, në rast se tregojmë pak tolerancë dhe njerëzi, dhe nëse jemi të gatshëm të vihemi në pozitën e njëri-tjetrit, siç do të thotë nëna ime, vetëm për një moment”.

Bideni e përdori vazhdimisht fjalën “unitet”, duke theksuar se e dinte që kjo gjë “mund të tingëllojë për disa si një fantazi e qesharake”, por duke insistuar se amerikanët janë ngritur nga momentet e mëhershme të polarizimit dhe munden edhe tani.

“Mund t’i bashkojmë forcat, t’i ndalim britmat dhe t’i ulim temperaturat”, ka theksuar ai. “Ngase pa unitet, nuk ka paqe, por vetëm zemërim dhe furi. Nuk ka progres, vetëm mizori plandosëse. Nuk ka komb, vetëm shtet në kaos. Ky është momenti ynë historik i krizës dhe sfidës, dhe uniteti është shtegu i ecjes përpara”.

Ceremonia e mbajtur në një ditë të ftohtë, me erë, por me rreze dielli e përmbylli një presidencë katërvjeçare plot stuhi e ndasi të Trumpit. Në mënyrën e tij karakteristike, Trumpi sërish shkeli traditën, duke u larguar nga Washingtoni disa orë para se pasuesi i tij të bënte betimin. Zgjodhi që në vend të ballafaqimit me realitetin e humbjes së zgjedhjeve, të ikte i vetmuar nga Shtëpia e Bardhë.

Pamjet e një Amerike të re me Bidenin dhe Harrisin në krye u shpërfaqën prej po të njëjtit vend, ku dy javë më parë u zhvilluan ngjarjet më të pashembullta për demokracinë amerikane. Kur turmat bastisën Capitolin, duke lënë pas zyre të plaçkitura, dritare të thyera dhe pesë të vdekur.

Ilustrimi i telasheve të Amerikës

Image

Për dallim prej ceremonive të mëhershme inauguruese, me turma enorme, programe argëtuese e ngjarje bujëmëdha, shënimi i ditës së betimit të Bidenit i ilustroi haptas telashet e Amerikës.

Në vend të turmave kishte flamuj. Në vend të argëtimit, frikë për sigurinë.

Si pasojë e ngjarjeve të 6 janarit, 25.000 trupa vetëm të Gardës Kombëtare, plus ato policore dhe të forcave të tjera, rrethuan kudo Washingtonin. Me pandeminë e koronavirusit që ende po bën kërdinë në SHBA, qytetarët u urdhëruan të mos dalin nga shtëpitë, pavarësisht ngjarjes.

Pjesa më e madhe e ngjarjeve tradicionale inauguruese janë anashkaluar shkaku i virusit, përfshirë drekën me liderët e Kongresit në Statuary Hall, parakalimin në Pennsylvania Avenue dhe galla ballot që hapen rëndom me vallëzimin e presidentit të ri dhe bashkëshortes së tij.

Në vend të kësaj, Bideni ka vëzhguar njësitet ushtarake në Krahun Lindor të Capitolit dhe më vonë i është drejtuar Shtëpisë së Bardhë, i shoqëruar nga orkestra ushtarake dhe ushtria.

Në një simbol të unitetit kombëtar, Bideni u shoqërua në gjithë ceremoninë nga tre ish-presidentë – Barack Obama, George W. Bush dhe Bill Clinton.

Dhe që në ditën e parë të marrjes së detyrës, Bideni planifikon që të nënshkruajë 17 urdhra ekzekutivë, memorandume dhe proklamomë, me synim të përmbysjes së elementeve kyç të administratës së mëhershme, në një mohim dramatik të pararendësit dhe të përshpejtimit të punëve.

Mes veprimeve të tjera, ai planifikon që të lëshojë një urdhër kombëtar për detyrimin e bartjes së maskave mes punëtorëve federalë dhe në pronat federale, t’i ribashkohet marrëveshjes së Parisit për klimën, të pezullojë ndërtimin e murit kufitar të Trumpit, të heqë ndalesën e udhëtimit për disa vende me shumicë myslimane, ta zgjerojë programin për imigrantët e sjellë ilegalisht në vend nga prindërit, si dhe ta ndalojë diskriminimin në bazë të orientimit seksual dhe identitetit gjinor.

Kamala Harris - gruaja që theu barrierat

Image

Përveçse në aspektin gjinor, zëvendëspresidentja Kamala Harris ka bërë historinë të mërkurën, kur u bë gruaja e parë në këtë pozitë, dhe e para afro dhe aziatikoamerikane ndonjëherë.

Si një senatore demokrate nga California përgjatë katër vjetëve të fundit, Harrisi ka thyer shumë barriera. Ka shërbyer si prokurorja e parë grua e qarkut të San Franciscos dhe ishte gruaja e parë me ngjyrë në Californi që do të bëhej prokurore e përgjithshme.

Harrisi është tërhequr nga ulësja e saj në Senat, por ende luan rol të rëndësishëm në Dhomë. Zëvendëspresidenti amerikan shërben gjithashtu edhe si kryetar i Senatit, që në këtë rast për Harrisin do të nënkuptonte thyerje e barazisë prej 50-50 në Senatin me 100 anëtarë. Dhe me këtë, ajo ia ofron partisë së saj shumicën aty.

Bagazhi i saj në drejtësi mund ta ndihmojë administratën e re Biden në luftimin e telasheve me racizmin dhe policinë, pasi vendi ishte mbërthyer nga protestat gjatë vitit të kaluar.

Harrisi është e bijë e emigrantëve. Nëna e saj ishte vendosur në SHBA nga India, ndërsa babai nga Xhamajka.

Ajo ia kishte mësyrë që të bëhej gruaja e parë presidente e SHBA-së, kur kishte garuar kundër Bidenit dhe të tjerëve në nominimin partiak të 2020-s. Nga gara u tërhoq, pasi fushata e saj u godit nga qëndrimet e saja të serta për përkujdesjen shëndetësore dhe çështjeve të tjera.

Bideni i përpiu disa prej fjalëve të saja të ashpra në llogari të tij gjatë fushatës dhe e emëroi Harrisin për bashkëgaruese në gusht. Ajo u tregua e çmueshme për Bidenin, pasi e jehoi zërin e grave, liberalëve dhe votuesve me ngjyrë.

Presidenti më i moshuar

Image

Në të 78-t, Bideni është zyrtarisht presidenti më i moshuar në histori të Amerikës – madje më i moshuar në ditën e tij të parë në detyrë sesa Ronald Reagani në të fundit të tijën. Por arriti t’i kapërcente dyshimet dhe pengesat rreth moshës për ta rrëmbyer trofeun jetësor, afro 34 vjet pas fushatës së tij të parë presidenciale, prej tri syresh.

Ndonëse ka bindje të thella të qendrës së majtë, ai nuk është i nxitur ideologjikisht, i vullnetshëm apo i etur për ta lëvizur qendrën politike.

Prapa vetes ka një mbështetje të fortë publike. 57 për qind e amerikanëve e shohin si të favorshëm për vendin, ka treguar një sondazh i “Gallup”. Kjo përqindje është dukshëm më e lartë sesa që kishte shënuar ndonjëherë Trumpi gjatë detyrës. Ndërsa 68 për qind e amerikanëve kanë thënë se e aprovojnë mënyrën e menaxhimit të tij me transicionin. Por, pjesa më e madhe e publikut besojnë se vendi është në shtegun e gabuar, ndërsa 32 për qind nuk besojnë se Bideni ka fituar ligjshëm në zgjedhje.

Bashkërisht, Bideni dhe Harrisi i sjellin diversitet Qeverisë. Bideni është vetëm i dyti president katolik i SHBA-së, pas John F. Kennedyt, derisa Harrisi ka thyer padyshim të gjitha barrierat e mundshme. Kabineti që Bideni ka formuar përmban numër të lartë të grave dhe personave me ngjyrë, teksa ka në përbërje edhe personin e parë me orientim homoseksual të caktuar për të udhëhequr njërin prej departamenteve statusore të kabinetit.

Bideni, i cili e kaloi mbrëmjen e së martës në Blair House, këndi presidencial për mysafir karshi Pennsylvani Avenu pak më larg Shtëpisë së Bardhë, e filloi ditën e tij të parë si president në orën 8:50 (sipas kohës lokale), kur u nis për një shërbesë kishtare në Katedralen St. Matthew me bashkëshorten e tij, Jill.