Zyrtarët në Moskë kanë nisur të enjten ofensivën ndaj presidentit amerikan, pasi Bideni ka thënë se i pari i Rusisë do ta “paguajë çmimin” për ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale të 2020-s
Presidenti rus, Vladimir Putin, i ka thënë të enjten homologut të tij amerikan, Joe Biden, se “nevojitet një gjë për ta njohur dikë”, teksa zyrtarët e Kremlinit janë zotuar për hakmarrje po qe se presidenti i SHBA-së nuk kërkon falje që e quajti “vrasës” të parin e Rusisë.
Në përshkallëzimin më të fundit të përplasjes diplomatike, zyrtarët rusë e përshkruan Bidenin si “të çmendur dhe histerik”, pasi që ai u pajtua një ditë më parë me një prezantues televiziv se Putini ka orkestruar vrasje dhe ka thënë se presidenti rus së shpejti “do ta paguajë çmimin” për ndërhyrjen në zgjedhjet amerikane.
Moska zyrtare ka thirrur mërkurën në bisedë informative ambasadorin e vendit në Washington, në shenjë proteste ndaj intervistës, ndërsa të enjten zyrtarët shtetërorë e kanë nisur ofensivën.
Marrëdhëniet mes dy vendeve veçse kanë prekur pikën më të ulët, pasi që Washingtoni u vendosi sanksione zyrtarëve nga Moska shkaku i helmimit të liderit opozitar rus, Alexei Navalny, si dhe deklasifikimit të një raporti të Inteligjencës, në të cilin konstatohet se Putini ka ndërhyrë drejtpërsëdrejti në zgjedhjet presidenciale amerikane të 2020-s.
“Këto janë deklarata shumë të këqija prej presidentit të Shteteve të Bashkuara”, ka thënë të enjten zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. “Ai qartazi nuk synon që t’i përmirësojë marrëdhëniet dhe ne do të duhet që të vazhdojmë nisur prej këtij botëkuptimi”.
Ndërkaq, vetë Putini, duke folur për televizionin shtetëror rus, ka thënë: “Më kujtohet në fëmijërinë time, kur argumentonim në oborrin e shtëpisë, shpesh thoshim: nevojitet një gjë për ta njohur dikë. Dhe kjo nuk është koincidencë, nuk është thjesht një thënie fëmijësh apo shaka”.
“Ne gjithmonë i shohim tiparet tona te personat e tjerë dhe mendojmë se edhe ata janë ashtu siç jemi ne. Dhe si rezultat i kësaj ne i vlerësojmë aktivitetet (e një personi tjetër) dhe japim vlerësime. Siç ka thënë (Bideni), ne e njohim njëri-tjetrin personalisht. Si do t’i përgjigjesha atij? Do të thosha: të dëshiroj shëndet. Të dëshiroj shëndet. E them këtë pa ironi apo në shaka”.
Konstantin Kosachev, zëvendësshef i Dhomës së Lartë të Parlamentit rus, ka thënë se Moska sipas të gjitha gjasave do të ndërmarrë hapa të mëtutjeshëm “po qe se pala amerikane nuk ofron ndonjë shpjegim apo kërkon falje”. Ai ka shtuar se komentet e Bidenit “nuk janë të pranueshme në asnjë rrethanë”.
Më herët, Andrei Turchak, një politikan i lartë nga radhët e partisë qeverisëse “Rusia e Bashkuar”, ka thënë se intervista e Bidenit është “një triumf i çmendurisë politike amerikane dhe reflektim i demencies së kamotshme të liderit të tyre”.
Ndërkaq, Vyacheslav Volodin, kryesues i parlamentit rus, ka thënë se lideri “histerik” amerikan i ka “ofenduar qytetarët e shtetit”.
Vitin e shkuar, Putini e kishte cilësuar Bidenin si një politikan “me përvojë” dhe kishte thënë se është i gatshëm që të bashkëpunojë me secilën administratë amerikane për përmirësimin e marrëdhënieve të Moskës me Washingtonin. Por, në telefonatën e parë të Bidenit me Putinin, ai ka sinjalizuar se do të zbatojë qëndrim theksueshëm më të ashpër ndaj Moskës sesa administrata Trump, duke reaguar ndaj liderit rus për persekutimin e Navalnyt dhe për sulmet kibernetike ndaj agjencive të Qeverisë amerikane. Më herët, Bideni kishte thënë se nuk beson se Putini ka shpirt, një vlerësim ky të cilin e ka përsëritur edhe në intervistën e së mërkurës.
Ai ka insistuar megjithatë se do të ketë fusha në të cilat vendet do të kenë “interes të dyanshëm për të bashkëpunuar, ani pse të dyja palët e fajësojnë njëra-tjetrën për përkeqësimin e marrëdhënieve.
Qëkur administrata e Barack Obamas është përpjekur që “t’i ristartojë” marrëdhëniet, dy armiqtë e Luftës së Ftohtë janë përplasur shpesh lidhur me hakimet ruse, ndërhyrjet në zgjedhje, aneksimin rus të Krimesë si dhe përkrahjes së Rusisë për regjimin e Bashar al-Assadit në luftën civile të Sirisë.