Por kur Bideni ta marrë detyrën më 20 janar, ai pritet që ta nisë menjëherë punën në rikalibrimin e qasjes së Trumpit për përdorimin e kësaj mase ndëshkuese, teksa do të rezervojë për vete pak kohë për t’i rimenduar ndryshimet madhore për sa u përket caqeve kryesore të sanksionimit, si Irani dhe Kina
Washington, 16 dhjetor (Reuters) – Joe Bideni nuk do të hezitojë ta vërë në përdorim armën më të pëlqyer të pararendësit të tij në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump – atë të sanksionimeve – në përpjekjen për t’i riformësuar politikat e jashtme të Shtëpisë së Bardhë. Kështu ka bërë të ditur një burim i afërt me planifikimet e brendshme të presidentit të zgjedhur.
Por kur Bideni ta marrë detyrën më 20 janar, ai pritet që ta nisë menjëherë punën në rikalibrimin e qasjes së Trumpit për përdorimin e kësaj mase ndëshkuese, teksa do të rezervojë për vete pak kohë për t’i rimenduar ndryshimet madhore për sa u përket caqeve kryesore të sanksionimit, si Irani dhe Kina, ka thënë burimi.
Sfidë kryesore për të do të jetë hamendësimi se cilat sanksione duhet t’i mbajë, cilat t’i heqë dhe në fund edhe cilat t’i zgjerojë. Krejt kjo pas një periudhe katërvjeçare, gjatë së cilës Trumpi ka zbatuar këtë masë ekonomike të ndëshkimit me ritëm rekord – rëndom njëanshëm – por megjithëkëtë ka dështuar që t’i nënshtrojë rivalët e SHBA-së karshi vullnetit të tij.
Rishikimi i kësaj strategjie do të bëhet me ndihmën e një rivlerësimi të jashtëm të programeve të sanksioneve që do të fillojë menjëherë pas inaugurimit të Bidenit, kanë bërë të ditur burimet në kushte anonimiteti.
Edhe
A do të mbijetojnë aleancat e Bidenit në Azi edhe gjatë mandatit të Trumpit
Por edhe para se të kompletohet vlerësimi, Bideni pritet ta bëjë të qartë se sanksionet do të vazhdojnë të mbesin instrument qendror i fuqisë amerikane – megjithëse më nuk do të zbatohet në emër të sloganit të bujshëm “Së pari Amerika”, që i kishte prirë politikës së jashtme të Trumpit.
“Nuk do të ketë as tërheqje, as mësymje”, ka bërë të ditur një person i lidhur ngushtë me procesin e bartjes së pushtetit të Bidenit. “Do të ketë një rivlerësim në përdorimin e sanksioneve si mjet”.
Në mesin e mundësive të para, kanë bërë të ditur dy burimet, do të mund të ishte tërheqje e sanksioneve që Trumpi ua vuri në shtator zyrtarëve të Gjykatës Ndërkombëtare Penale lidhur me hetimin e tyre nëse Ushtria amerikane kreu luftë në Afganistan, një veprim që ishte denoncuar nga aleatët evropianë.
Bideni do të mund të merrte sanksione të ngjashme me ato të britanikëve dhe të Bashkimit Evropian kundër rusëve lidhur me helmimin e kritikut të Kremlinit, Aelxei Navalny, ka thënë një burim i familjarizuar me çështjen.
Ekipi i Bidenit nuk ka pasur koment zyrtar lidhur me këtë çështje.
Pos që përbën sfidë për Bidenin, politika kaotike e sanksioneve të Trumpit ka sjellë telashe në sistemin politik amerikan në ditët e fundit të administratës republikane. Trumpi ka vënë sanksione të ashpra që do të mund ta vështirësonin kthimin eventual të Bidenit në marrëveshjen me Iranin për programin e tij bërthamor dhe për të rivënë raporte të shpejta me zyrtarët e Partisë Komuniste të Kinës.
Prejse ka marrë detyrën, Trumpi ka zbatuar sanksione si kundërpërgjigje ndaj problemeve ndërkombëtare, prej aktiviteteve ushtarake të Iranit deri te arsenali bërthamor i Koresë Veriore dhe kriza politike e Venezuelës.
Edhe
Bideni lë të kuptohet se do t’i japë fund kufizimeve të Ukrainës për armët me rreze të gjatë
Administrata e Trumpit ka hartuar rreth 3.800 “dizajne” të reja sanksionesh, krahasuar me 2.350 gjatë mandatit të dytë të ish-presidentit Barack Obama. Megjithëse Bideni pritet të vazhdojë përdorimin e masave ndëshkuese, do të ketë ndryshime, përfshirë vendimmarrjen më gjithëpërfshirëse dhe koordinimin më të ngushtë me aleatët, kanë thënë burimet.
Hajjar Chemali , i cili ka shërbyer si zyrtar sanksionesh në administratën e Obamas, ka thënë se sanksionet duhet të përdoren si pjesë e një strategjie më të gjerë, dhe “pikërisht kjo i ka munguar shpesh administratës së Trumpit”.