Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Bideni do të pëlqente një garë tjetër presidenciale me Trumpin

biden

Ndonëse ka kaluar më pak se një vit nga fillimi i mandatit të presidentit Joe Biden, lideri amerikan thotë se një gjë mund ta bindë atë të kandidojë sërish në vitin 2024 dhe kjo është kandidatura e Donald Trumpit 75-vjeçar.

Në një intervistë për ABC News, demokrati 79-vjeçar tha se do të kandidojë edhe për një mandat nëse do të jetë mirë me shëndet.

"Unë e respektoj shumë fatin. Fati më ka ndërhyrë shumë e shumë herë në jetën time. Nëse do të jem mirë me shëndet, siç jam tani, do të kandidoj sërish", tha ai.

I pyetur se çfarë do të ndodhte nëse Donald Trump, rivali i madh i zgjedhjeve të fundit, do të garonte sërish, Biden u përgjigj: "Kjo do të rriste mundësinë e kandidimit tim. Sigurisht, pse të mos kandidoj kundër Donald Trump?".

Ish-presidenti Trump vazhdon të ngul këmbë se zgjedhjet e vitit të kaluar u vodhën dhe se votuesit u mashtruan. Sipas këtij supozimi, mbështetësit e Trumpit edhe sulmuan me forcë Kongresin e SHBA-së më 6 janar, ndërsa aty po konfirmohej fitorja presidenciale e Bidenit.