Në Departamentin e Shtetit, diplomatja e kahershme Wendy Sherman do të emërohet si zëvendëse e sekretarit të emëruar të Shtetit, Tony Blinken, kanë bërë të ditur dy burime të afërta me ekipin e transicionit. Ndërsa, si diplomate tjetër veterane, Victoria Nuland, do të nominohet nënsekretare e Shtetit për çështje politike
Washington, 5 janar (“Politico”) – Presidenti i zgjedhur, Joe Biden, dhe ekipi i tij i transicionit kanë filluar t’i plotësojnë pozitat kryesore në Këshillin e ardhshëm të Sigurisë Kombëtare dhe në Departamentin e Shtetit, me ç’rast postet kyç, si ai i këshilltarit të sigurisë kombëtare dhe zëvendëssekretarit të shtetit, pritet që t’u takojnë veteranëve të administratës së ish-presidentit Barack Obama, ka shkruar të martën “Politico”.
Në Departamentin e Shtetit, diplomatja e kahershme Wendy Sherman do të emërohet si zëvendëse e sekretarit të emëruar të Shtetit, Tony Blinken, kanë bërë të ditur dy burime të afërt me ekipin e transicionit. Shermani më herët ka shërbyer si nënsekretare e Shtetit për çështjet politike në administratën Obama dhe ishte negociatore kryesore për marrëveshjen me Iranin. Shermani është aktualisht këshilltare e lartë në “Albright Stonebridge Group”, firmë kjo e njëjtë ku Linda Thomas-Greenfield, e zgjedhura e Bidenit për ambasadore të SHBA-së në Kombet e Bashkuara, ka punuar po ashtu si këshilltare e lartë.
Një tjetër diplomate veterane, Victoria Nuland, do të nominohet nënsekretare e Shtetit për çështje politike, ka thënë një nga burimet e “Politico”-s. Nulandi ka shërbyer gjithashtu në administratën Obama, si ndihmëssekretare e Shtetit për çështjet evropiane dhe të Euroazisë. Nulandi dhe Shermani, të cilat janë përfshirë në punë akademike dhe në qendra të matjes së opinionit publik pas largimit nga administrata Obama, kanë qenë kritike të ashpra të politikave të jashtme të presidentit, Donald Trump – veçanërisht për zbutjen e qëndrimeve karshi presidentit rus, Vladimir Putin.
Përbrenda Këshillit për Siguri Kombëtare, ish-zyrtari i Departamentit të Shtetit, Jon Finer, do të emërohet zëvendës i këshilltarit për siguri kombëtare, kanë thënë burimet, duke bërë të ditur se këshilltar i ardhshëm i sigurisë kombëtare do të jetë Jake Sullivan.
Edhe
Ekipi i Bidenit shpall emrat e të emëruarve për udhëheqjen e politikës së jashtme dhe të sigurisë kombëtare
Finer, një ish-gazetar, ishte bërë pjesë e administratës Obama në vitin 2009 dhe kishte shërbyer në pozita të ndryshme gjatë mandatit të Obamas, përfshirë edhe si fjalimshkruesi i Bidenit për politika të jashtme dhe si këshilltar i lartë për këshilltarin e atëhershëm të lartë për siguri kombëtare, Blinken.
Fineri ka qenë i angazhuar në vlerësimin e rreziqeve politike dhe politika publike në një firmë private të kapitalit, Warburg Pincus, e cila ishte bashkëthemeluar nga babai i Blinkenit, që prej largimit të tij nga Qeveria më 2017.
Roli kyç në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ai i drejtorit të lartë për Çështje Evropiane do t’i takojë Amanda Sloatit, një anëtare e “Brookings Institutions” që kishte shërbyer si zëvendësnënsekretare për çështjet e Evropës Jugore dhe Mesdheut Lindor në Departamentin e Shtetit të administratës Obama. Nuk dihet nëse Sloat do të jetë gjithashtu në krye të portofolit rus, i cili përthekohej përbrenda rrafshit të çështjeve evropiane në Këshillin e Trumpit, porse nën Obaman kishte një drejtor të posaçëm.
Këto pozita mund të zyrtarizohen qysh gjatë kësaj jave, bashkë me një numër të konsiderueshëm postesh në sigurinë kombëtare dhe politikat e jashtme.
Edhe
Cholleti ndërron detyrë, kalon në rol kyç për mbrojtjen amerikane
Shermani, Nulandi, Fineri dhe Sloati nuk u janë përgjigjur kërkesave për t’i komentuar emërimet. Një zëdhënës i ekipit të Bidenit, po ashtu, ka refuzuar që të komentojë.
Të përzgjedhurit i përkojnë synimit të Bidenit për të emëruar politikanë me përvojë nga radhët e dikurshme të administratës Obama për t’i sprapsur politikat e instaluara gjatë epokës Trump. Në këtë mes përfshihet eliminimi nga ana e Trumpit i pozitës së koordinatorit për siguri kibernetike. Shtëpia e Bardhë e Bidenit planifikon që ta përfshijë rolin e sigurisë kibernetike në Këshill me anë të emërimit të një zyrtari të karrierës për të shërbyer si zëvendëskëshilltar për siguri kombëtare lidhur me çështjen, kanë thënë burimet e “Politico”-s.
