Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Bideni diskuton për të drejtat e njeriut me mbretin saudit

Të drejtat e njeriut ka qenë tema që presidenti Joe Biden e ka diskutuar me mbretin saudit, Salman, teksa SHBA-ja po tenton t’i riformësojë marrëdhëniet me aleatin e vjetër, Arabinë Saudite.

Bideni këtë telefonatë e ka bërë pasi lexoi raportin amerikan për vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi. Raporti pritet që ta përfshijë edhe më shumë në vrasjen e gazetarit, princin e kurorës, Mohammed bin Salman.

Ai deri më tani ka mohuar përfshirjen në eliminimin e Khashoggit. Gazetari Khashoggi ishte vrarë dhe trupi i tij ishte gjymtuar në Konsullatën saudite në Stamboll, ndërkaq princi i kurorës ka mohuar përfshirjen në vrasjen e tij.

Autoritetet saudite kanë njoftuar se asgjësimi i trupit të tij është rezultat i një operacioni mashtrimi nga një ekip i agjentëve që u dërguan në Turqi për ta kthyer gazetarin në Mbretërinë saudite. Pesë persona, fillimisht, janë dënuar me vdekje për vrasjen e gazetarit, por këto dënime u zbutën në 20 vjet burgim, në shtatorin e vitit 2020.