Botë

Bideni bën thirrje që amerikanët të dalin kundër armëve

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka shtyrë përpara ligjet për kontroll më të madh të armëve, pas sulmit të së martës në një shkollë fillore në Tekas, në të cilën sulmuesi qëlloi për vdekje 19 fëmijë dhe një mësuese.

“Ne si komb duhet të pyesim se kur për hir të Zotit do të ngrihemi kundër armëve. Kur për hir të Zotit do të bëjmë atë që të gjithë e dimë se duhet ta bëjmë?”, ka pyetur Bideni në fjalimin emocionues pas masakrës në shkollën fillore.

I dyshimti, i identifikuar si Salvador Ramos 18-vjeçar, u qëllua për vdekje nga Policia.

Presidenti, që humbi të bijën e vogël në një aksident veturash dhe të birin nga kanceri, u ka thënë prindërve të viktimave se humbja e fëmijës është “sikur të të këputet një copë shpirti”.

“Sonte, ju kërkoj të lutemi për ta”, ka thënë ai duke urdhëruar uljen e flamujve në gjysmështizë në nderim të viktimave.

Përkrahësit e masave më të rrepta ndaj armëve shtuan thirrjet pas sulmit të fundit.

Zëvendëspresidentja Kamala Harris ka bërë thirrje për sensibilizim. “Do të thosha në momente të tilla – do të thoshim të gjithë – se zemrat tona janë thyer. Por zemrat tona në vazhdimësi po thyhen. Si komb, duhet të kemi guximin të veprojmë”, ka thënë ajo.

Thirrje për veprim kundër përdorimit të armëve ka pasur edhe në Senat.

Senatori Chris Murphy në një fjalim në Senat ka kërkuar nga kolegët të veprojnë.

E marta e 24 majit është dita e 144-të e vitit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë regjistruar të paktën 212 sulme të armatosura sivjet, sipas organizatës joqeveritare “Gun Violence Archive”. Kjo nënkupton se në SHBA ka pasur më shumë sulme të armatosura në masë sesa që ka pasur ditë më 2022.

Në Tekas që nga 1 shtatori 2021, qytetarëve u lejohet të bartin armë pa licencë specifike apo trajnime të kryera.

Janë edhe 20 shtete tjera që ua mundësojnë amerikanëve bartjen e armëve kudo, pa leje të caktuar./cnbc