Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Biden: SHBA-ja nuk e pret gjithmonë Iranin për marrëveshjen bërthamore

biden, shba, iran

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë të enjten se SHBA-ja “nuk do ta presë përgjithmonë” Iranin që t’i ribashkohet marrëveshjes së fjetur bërthamore, një ditë pasi ai shprehu gatishmërinë për përdorimin e forcës si zgjidhje të fundit kundër Tehranit në rast nevoje, raportoi AP-ja.

Bideni foli para mediave pas takimit me kryeministrin izraelit Yair Lapid ku diskutuan programin bërthamor që po e zhvillon shpejtë Irani.

“Ne kemi parashtruar për lidershipin e Iranit atë çfarë ne presim të pranojnë në mënyrë që të kthehemi në JCPOA. Po presim përgjigjen e tyre. Çfarë do të vijë, nuk jam i sigurt”, tha Bideni, duke përdorur shkurtesën për marrëveshjen bërthamore të Iranit.

“Por, ne nuk do të presim përgjithmonë”.

Ringjallja e marrëveshjes bërthamore e ndërmjetësuar nga administrata e Barack Obamas dhe e braktisur nga Donald Trumpi më 2018, ishte prioritet kyç për Bidenin kur ai mori detyrën.

Pas diskutimit mes dy palëve, SHBA-Izrael, lideri izraelit u zotua se “nuk do të ketë Iran bërthamor”.