Botë

Biden: SHBA-ja mund ta sanksionojë Putinin nëse Rusia pushton Ukrainën

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka thënë se do të shqyrtojë sanksione personale ndaj presidentit të Rusisë, Vladimir Putin nëse Rusia pushton Ukrainën, raporton BBC.

Biden ka thënë se do të ketë “pasoja të mëdha” për botën, nëse Rusia merr hapa për të pushtuar Ukrainën.

Komentet e tij erdhën ndërsa liderët perëndimor kanë paralajmëruar vazhdimisht se Rusia do të paguajë çmim të rëndë për pushtimin.

Rusia e ka akuzuar SHBA-në dhe të tjerët për “eskalim të tensioneve” në lidhje me këtë çështje dhe vazhdimisht ka mohuar se po planifikon të futet në Ukrainë.

Mirëpo, Moska ka grumbulluar forca ushtarake në afërsi të kufirit, ku afro 100 mijë ushtarë rusë janë vendosur në kufi me Ukrainën.

Duke marrë pyetje nga gazetarët, Biden është përgjigjur “po” kur është pyetur nëse mund të paramendojë vendosjen e sanksionimit ndaj presidentit të Rusisë në rast të pushtimit.

Ai ka thënë se një lëvizje e tij do të kishte pasoja të rënda për botën.