SHBA-ja ka përgatitur planin për evakuimin e afganëve që ndihmuan ushtrinë amerikane gjatë luftës 20-vjeçare. Llogaritet se 18 mijë afganë po presin për vizat amerikane. Në këtë numër nuk përfshihen bashkëshortët dhe fëmijët e tyre, të cilët do ta çonin numrin në 70 mijë
Në orët e fundit kaotike të Luftës së Vietnamit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës evakuuan mijëra vietnamezë të Jugut që mbështetën misionin amerikan dhe ishin në rrezik të madh nga Qeveria komuniste.
Teksa forcat amerikane dhe ato të NATO-s po përballen me afatin e 11 shtatorit për të lënë Afganistanin, disa njerëzve u është kthyer në kujtesë eksodi i Vietnamit. Për këtë arsye po nxisin administratën e presidentit Joe Biden që të evakuojë mijëra afganë që punuan si përkthyes ose ndihmuan operacionet ushtarake të SHBA-së në dy dekadat e fundit në Afganistan.
Pavarësisht nga mbështetja e pazakontë e të dy partive në Kongres, administrata nuk është pajtuar me një lëvizje të tillë, duke mos pranuar që të mbështesë publikisht diçka që mund të minojë sigurinë në SHBA.
Pavarësisht nga mbështetja e pazakontë dy-partizane në Kongres, administrata nuk ka rënë dakord për një lëvizje të tillë, duke mos pranuar të mbështesë publikisht diçka që mund të minojë sigurinë në vend pasi ajo nisi luftën pas 11 shtatorit.
“Ne kemi një detyrim moral për të mbrojtur aleatët tanë të guximshëm, të cilët kanë vënë në rrezik jetën e tyre për ne. Ne kemi punuar me ata për muaj të tërë për të vënë në punë administratën, për të siguruar një plan dhe pak rezultate konkrete”, ka thënë ligjvënësi republikan, Peter Meijer, nga Michigani.
Edhe
Mes skenave kaotike, SHBA-ja në telashe me evakuimet nga Afganistani
Ligjvënësit i kanë kërkuar administratës që të mendojë zhvendosjen e përkohshme të afganëve, të cilët kanë punuar për forcat amerikane ose për NATO-n, në një vend të sigurt jashtë shtetit derisa të procesohen vizat e tyre për në SHBA. Disa kanë bërë thirrje që afganët të zhvendosen në Guam, territor amerikan që shërbeu për qëllim të ngjashëm pas Luftës së Vietnamit. Zhvendosje e tillë u bë edhe për refugjatët kurdë që u dërguan në ishullin e Paqësorit në vitin 1996 pas Luftës së Gjirit.
Guami i afganëve
Guvernatori i Guamit së fundmi i ka shkruar presidentit Joe Biden për t’i thënë se territori ishte i gatshëm të ndihmonte po qe nevoja.
Administrata e Bidenit tani për tani është përqendruar në përshpejtimin e një programi të posaçëm të vizave për afganët të cilët ndihmuan operacionet amerikane dhe krijimin e burimeve për lehtësimin e të mbeturve.
“Ne kemi vazhduar punën dhe po i marrim njerëzit me një shpejtësi rekorde”, ka thënë të mërkurën Jen Psaki, sekretare për media në Shtëpinë e Bardhë.
“Jemi duke punuar me Kongresin për të modernizuar disa nga kërkesat që po ngadalësojnë procesin dhe po bëjmë një lloj planifikimi të gjerë për evakuimin e mundshëm, nëse kjo është e nevojshme”.
Anëtarët e Kongresit pritej ta shtronin këtë çështje të premten kur presidenti afgan, Ashraf Ghani, do të vizitojë Washingtonin për një takim me presidentin Biden dhe ligjvënësit amerikanë.
Zalmay Khalilzad, përfaqësuesi special i Departamentit të Shtetit për rindërtimin e Afganistanit, paralajmëroi ligjvënësit në maj se “largimi i të gjithë afganëve të shkolluar” do të “sinjalizonte panik” dhe do të dëmtonte moralin e forcave të sigurisë së vendit.
“Ky është një ekuilibër delikat dhe i ndërlikuar, por që duhet ta mbajmë”, ka thënë Khalilzad.
Ligji për vizat
Përfaqësuesi demokrat, Jason Crow, nga Colorado, ka prezantuar planin për dyfishimin e vizave për sivjet. Janë kërkuar tetë mijë viza dhe lehtësimin e kërkesave të pranimit të afganëve.
Mirëpo, ai ka thënë se veprimi i Kongresit nuk do të jetë i shpejtë ose i mjaftueshëm.
Ani pse ligji që ka prezantuar do të miratohej menjëherë, numri i vizave do të ishte shumë larg numrit prej 18 mijë afganëve që po presin për viza. Në këtë numër nuk përfshihen bashkëshortët dhe fëmijët e tyre, të cilët do ta çonin numrin në 70 mijë.
Ndërkaq, pritja mesatare për vizë është më shumë se tre vjet. Procesi gjithashtu është zvarritur nga pandemia e koronavirusit që shtyri Ambasadën amerikane në Afganistan t’i pezullojë intervistat për viza.
Crow, ish-pjesëtar i ushtrisë në Afganistan, i ka bërë thirrje Qeverisë që të evakuojë partnerët e SHBA-së në një vend të sigurt dhe të përkohshëm, në të cilin do të mund të shkonte deri në fund procesi i vizave, pa kërcënimin e sigurisë nga talebanët.
Edhe
Reuters: SHBA-ja ka zhvilluar bisedime të fshehta me Kosovën për strehimin e afganëve
Në një deklaratë të muajit qershor, talebanët premtuan se nuk do të sulmonin ata që punuan për interesat e Perëndimit. U kanë bërë thirrje afganëve që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, ndërkaq kanë urdhëruar militantët në radhët e veta që të mos hakmerreshin ndaj afganëve që bashkëpunuan me amerikanët.
Mirëpo, shumë afganë mezi presin një vizë. Kanë frikë jo vetëm nga dhuna e talebanëve, por edhe nga komandantët e armatosur, aleatë të SHBA-së. Këtë periudhë e shohin si shansin e fundit për të ikur nga Afganistani.
Tërheqja amerikane filloi më 1 maj, kur numri i trupave amerikane ishte mes 2 mijë e 500 dhe 3 mijë e 500 dhe mund të përfundonte deri më 4 korrik. Rreth 7 mijë forca të NATO-s pritet që deri më 11 shtator të largohen nga Afganistani.
Senatori i pavarur, Angus King, i shtetit Maine ka thënë se Qeveria duhet të gjejë një qasje “krijuese” për t’i ndihmuar afganët që kanë punuar me ushtrinë amerikane. Kjo mund të përfshijë dërgimin e zyrtarëve nga Departamenti i Shtetit ose ushtria për të përpunuar vizat në Afganistan ose evakuimin e njerëzve në një vend të sigurt për t’u verifikuar.
“Kjo nuk është vetëm një çështje morale, por është një çështje e sigurisë kombëtare”, ka thënë King , anëtar i dy komiteteve: Inteligjencës dhe Shërbimeve të Armatosura. Ka shtuar se “ne gjithashtu kemi një përgjegjësi praktike, në lidhje me a duam që njerëzit të na ndihmojnë në të ardhmen?”
Më shumë se 300 përkthyes janë vrarë në Afganistan që nga viti 2016, ka vlerësuar “No One Left Behind”, organizatë për të drejtat e përkthyesve në Afganistan.
Ish-majori i ushtrisë, Matt Zeller, ka thënë se evakuimi ushtarak është e vetmja mundësi e vlefshme për mijëra afganë që përballen me kërcënime, por që deri më tani janë mbrojtur nga prania e trupave amerikane.
“Jam gjallë vetëm pse përkthyesi im afgan mysliman, më shpëtoi jetën duke vrarë dy talebanë që ishin gati të më vrisnin në një betejë”, ka thënë Zeller, përkthyesi i të cilit priti tre vjet për vizë.
Mësimi nga e kaluara
Qeveria amerikane është dashur të mësonte nga rasti i Vietnamit, ka thënë Jim Jones, veteran i luftës së Vietnamit dhe ish-kryegjykatës i Gjykatës Supreme në Idaho.
Fillimisht nga frika se një evakuim masiv do të minonte ushtrinë e Vietnamit të Jugut, SHBA-ja nuk mori asnjë vendim teksa Ushtria e Vietnamit të Veriut kapërceu Vietnamin e Jugut përpara se të fillonte evakuimin e amerikanëve dhe aleatëve të tyre. Përpjekja përfundoi me evakuimin më të madh me helikopter në histori në orët e fundit të luftës.
Në më pak se 24 orë, helikopterët ngritën në ajër rreth 7 mijë pjesëtarë amerikanë dhe vietnamezë që mbështetën misionin amerikan.
Shumë ushtarë dhe zyrtarë qeveritarë të Vietnamit Jugor u vranë ose u mbajtën në kampe “riedukimi”. Ata përfshinin trupa që kishin ndihmuar Jonesin të mbetej gjallë si oficer artilerie i Ushtrisë.
“Ne kishim një detyrim moral për të nxjerrë sa më shumë që të ishte e mundur, por, në vend të kësaj, i braktisëm ata në një fat të tmerrshëm”, shkroi Jones në “Military Times”. “Ne thjesht nuk mund të lejojmë që ajo lloj tragjedie të ndodhë përsëri me afganët. Unë lutem që ky komb i madh të mos ua kthejë përsëri shpinën njerëzve të vrarë që vendosën besimin e tyre te ne”.
Udhëheqësit e Pentagonit kanë thënë para ligjvënësve të mërkurën se janë të përgatitur për evakuimin, nëse urdhërohen për një gjë të tillë. Ata kanë kërkuar që të evitohet shqetësimi se historia mund të përsëritet.
Edhe
Shpëtimi i përkthyesve afganë
“Nuk e shoh Saigon 1975 në Afganistan”, ka thënë para pak kohësh gjenerali Mark Milley.
Përktheu: Gent Mehmeti