Në vitin 2014, një punonjës boshnjak u pushua nga puna pasi kërkoi që fotografia e kriminelit serb, Ratko Mlladiq, të dënuar për gjenocid, të hiqej nga objekti. Beteja ligjore kundër portretit të kriminelit të luftës të njohur si “Kasapi i Bosnjës” vazhdon ende
Kur Edin Haxhiq ia dërgoi një email punëdhënësit të tij, kompanisë daneze të birrës “Carlsberg”, ku kërkonte që të hiqej nga dega e kompanisë në Serbi, një fotografi e madhe me kornizë, e kriminelit të luftës Ratko Mlladiq, ai nuk e mendoi se do të pushohej nga puna dhe që konflikti do të zvarritet në betejë të gjatë ligjore.
“Kur bëhet fjalë për Carlsbergun, gjithçka më befasoi”, tha Haxhiq për Al Jazeeran nga kryeqyteti i Bosnjës, Sarajeva. “Sjellja e tyre është e paimagjinueshme. Nuk mund ta besoj [çfarë kanë bërë ata]”.
Haxhiq, menaxher i zinxhirit të furnizimit, i cili kishte punuar për degën boshnjake të Carlsbergut për gati nëntë vjet, u informua për herë të parë për foton e ish-gjeneralit serb nga një shofer në vitin 2014.
Në telefon, një nga shoferët e klientëve të kompanisë, nuk besonte çfarë kishte parë, fotografinë e cila ishte vendosur në një vend të dukshëm për të gjithë shoferët që shkonin për të ngarkuar mallin në kamionët e tyre.
Haxhiq i dërgoi një email eprorit të tij në Beograd duke kërkuar që fotografia e vendosur në Celarevo të hiqej.
“Bëhet fjalë për një person që urdhëroi drejtpërdrejt vrasjen e boshnjakëve të kapur”, shkroi Haxhiq.
Katër ditë më vonë, Haxhiq, baba i dy fëmijëve, u shkarkua nga pozita e tij e punës.
Më 17 nëntor 2014, shefi i tij serb nga Beogradi erdhi për takimin e tyre në Sarajevë dhe ia ofroi atij një pagesë për të lënë punën pa fjalë. Kur Haxhiq e refuzoi ofertën, eprori i tij e informoi atë se është pushuar nga puna për “arsye organizative dhe ekonomike”.
“Ata po punësonin njerëz në kohën kur unë u pushova nga puna. Ishte shumë e qartë se ky ishte sulm ad hominem ndaj meje”, shtoi Haxhiq.
Gjysmë ore më vonë recepsionistja boshnjake u pushua gjithashtu nga puna, tregoi ai.
Dënimi i Mlladiqit
Në vitin 2017, Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë e dënoi Mlladiqin, i njohur gjithashtu si “Kasapi i Bosnjës”, me burgim të përjetshëm, për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, të kryera gjatë luftës në Bosnjë në vitet ‘90.
Krimet e tij, duke përfshirë rolin udhëheqës në gjenocidin e Srebrenicës, si dhe sulmin dhe vrasjen e civilëve në kryeqytetin e rrethuar të Sarajevës, u cilësuan si “ndër më të neveritshmit kundër njerëzimit”, sipas gjyqtarit kryesues të gjykatës, Alphons Orie.
Haxhiq e çoi çështjen në gjykata dhe pas shtatë vjetësh, në vitin 2021, Gjykata e Kantoneve në Sarajevë vendosi se ai ishte shkarkuar në mënyrë të paligjshme nga kompania.
Gjykata urdhëroi Carlsbergun të rikthente menjëherë Haxhiqin në të njëjtën pozitë pune ose në një të barasvlershme si dhe ta kompensonte atë për pagën e humbur dhe kontributet sociale.
Haxhiq, i cili ka diplomë universitare dhe më shumë se 30 vjet përvojë, tha se ata nuk e përmbushën plotësisht vendimin dhe i ofruan atij një pozitë pune si punëtor i pakualifikuar në depo.
Ai tani po e çon përsëri çështjen përpara gjykatave, të cilave do t’u duhen deri në katër vjet për të marrë një vendim tjetër, duke e transformuar të gjithë përvojën e hidhur në një çështje ligjore 12-vjeçare, shtoi Haxhiq.
“Vërtet nuk ka më kuptim. Një gjykim që nuk arrihet në një periudhë të caktuar kohore, më pas thjesht humb kuptimin”, tha ai.
Një vit para shkarkimit të tij, ai kujtoi se si drejtori ekzekutiv i atëhershëm i Carlsberg Serbia, Gabor Bekefi, i ishte ankuar se në degën e Sarajevës punojnë “vetëm myslimanë” (duke iu referuar boshnjakëve).
Zëvendësimi i boshnjakëve
Pas shkarkimit të Haxhiqit, tetë anëtarë të tjerë të stafit boshnjak (nga një ekip prej 14 vetash) në ekipin drejtues të Sarajevës u zëvendësuan me kombësi të ndryshme, të gjithë brenda tre vjetëve.
“Carlsbergu po na diskriminonte në bazë kombëtare… të nëntë personat janë zëvendësuar nga njerëz të kombësive të ndryshme. Kjo nuk është diçka që mund të ndodhë rastësisht”, shpjegoi Haxhiq.
“Sigurisht, njerëzve nuk iu thanë: ‘Ne do të të pushojmë nga puna sepse je boshnjak – ose mysliman, [siç tha drejtori ekzekutiv] – por gjenin mënyra për të hequr qafe njerëzit, qoftë përmes kompensimit financiar apo presionit në punë”.
Në një letër drejtuar Carlsbergut, dërguar nga avokati i Haxhiqit, Amar Bajramoviq, shtetas serb, vërtetoi pretendimin e Haxhiqit dhe tha se ishte i gatshëm të dëshmonte në çështjen me Carlsbergun, nën konfidencialitet të rreptë – nga frika e sigurisë për familjen e tij – se eprori i tij e kishte ngarkuar atë të ndryshonte “strukturën kombëtare të kompanisë”.
“Kur [punonjësi serb] refuzoi të bënte atë që i tha eprori, atij iu kërkua të largohej nga puna”, shkroi Bajramoviq.
Haxhiq tha se i dërgoi letra Carlsbergut për situatën, por nuk mori asnjë përgjigje.
Edhe pse fotografia e Mlladiqit u hoq, Carlsbergu nuk nisi kurrë një hetim.
“Në përgjithësi, shumë i cilësojnë vendet nordike si mishërim i demokracisë, të drejtave të njeriut, lirive njerëzore dhe më pas ndodhin këto lloj gjërash të pabesueshme”, tha Haxhiq.
“Por ju e shihni [në përgjigjet e dërguara me email nga selia e Carlsbergut me bazë në Danimarkë] se atyre nuk u intereson, nuk janë të interesuar. Ata dërgojnë një përgjigje që është plot me fraza boshe që nuk do të thotë asgjë”.
Në një deklaratë për Al Jazeeran, Carlsberg Serbia kundërshtoi pretendimet e Haxhiqit, duke thënë se kompania “përmbushi të gjitha detyrimet e saj në përputhje me ligjet e punës dhe rivendosi Edin Haxhiqin në pozicionin e tij të mëparshëm të punës”, dhe se ai më vonë u largua vullnetarisht.
“Të gjitha pagat dhe kontributet e papaguara iu paguan punonjësit, dhe kështu kompania respektoi vendimet e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës së Kantoneve, duke demonstruar një qasje të drejtë ndaj punonjësve dhe një vendosmëri për të krijuar një atmosferë harmonie që u lejon të gjithë punonjësve të çlirojnë potencialin në punë”, thuhet në deklaratë.
Kundër padrejtësive
Në vitin 2015, Carlsbergu iu përgjigj Haxhiqit në një letër duke shkruar “se ajo që përshkruhej në emailin e Haxhiqit nuk përputhej me vlerat dhe parimet e Carlsberg Group”, por përsëriti se roli i Haxhiqit në punë u ndërpre për shkak të “ristrukturimit”.
Por, Gjykata e Lartë e Federatës së Bosnjës hodhi poshtë apelimin e Carlsbergut në vitin 2022, duke vënë në dukje në vendimin e saj se kompania kishte punësuar njerëz në kohën e shkarkimit të Haxhiqit, duke përfshirë edhe një për pozitën e menaxherit, që më parë e mbante Haxhiqi.
Georgio Konstandi, aktivist grek që ka hulumtuar gjenocidin boshnjak, nisi një fushatë këtë vit, duke bërë thirrje që Carlsbergu të përmbushë detyrimet ligjore, të kryejë një hetim dhe të japë një shpjegim se pse punonjësit boshnjakë u zëvendësuan me punëtorë serbë.
“Akuzat e bëra nga Edin Haxhiq, si dhe sinjalizuesi i dytë, dëshmia, të cilën e publikova në mediat sociale janë tepër serioze. Ato nënkuptojnë një kulturë të papërgjegjshmërisë brenda Carlsberg SE Europe/Serbi, e cila pa dyshim lehtësohet nga një mjedis politik në të cilin lavdërimi i mohuesve të gjenocidit dhe diskursit antiboshnjak sanksionohet nga lart”, tha Konstandi për Al Jazeeran.
“Kam kontaktuar me Carlsberg SE Europe në më shumë se një rast, kështu që ne mund të bashkëpunojmë për të hetuar akuzat. Nëse akuzat janë të pabaza, siç pretendojnë ata, nuk duhet ta kenë problem ta hetojnë këtë çështje në mënyrë transparente”.
Haxhiq tregoi se sjellja problematike në kompani filloi që në vitin 2010, kur Carlsberg Serbia nisi një fushatë reklamuese duke shpërndarë fanellat e ekipit serb të futbollit në Bosnjë.
Bluzat kishin simbolin “4S” mbi to, shenjë e cila përdorej zakonisht nga paraushtarakët serbë dhe kriminelët e dënuar të luftës gjatë kryerjes së mizorive kundër boshnjakëve gjatë luftës në Bosnjë.
Kur ai u dërgoi një email, kundër fanellave, atij iu tha nga një punonjës i Carlsberg Serbisë se “herën tjetër që do të shkruash diçka kundër Serbisë, ti dhe kolegia jote Amela S [recepsionistja] do të pushoheni nga puna”, tha ai, një kërcënim i cili u bë i vërtetë katër vjet më vonë.
“A mund ta imagjinoni sikur dikush pas Luftës së Dytë Botërore të fillonte një fushatë reklamuese duke shpërndarë fanella gjermane [naziste] në Francë, për shembull. Imagjinoni që ato fanella të kishin të njëjtën stemë që ishte në uniformat e ushtarëve që kryen gjenocid. Na ndodhi dhe ne u ankuam”, tha Haxhiq.
Haxhiq tha se disa njerëz mund ta shohin rastin si “ujë nën urë”, por duhet luftuar kundër çdo padrejtësie.
“Nuk e di se ku do të jetojnë djemtë e mi, por duhet ta bëj të mundur që të jetojnë këtu nëse e vendosin. Më duhet të bëj gjithçka me fuqinë time, për ta bërë këtë një vend ku të gjithë njerëzit do të jenë të mirëpritur pa marrë parasysh ngjyrën e lëkurës, kombësinë apo orientimin e çfarëdo natyre”.
“Nuk mund të them, ‘nuk është problemi im’ dhe më pas një mëngjes të zgjohemi me tanke që rrethojnë qytetin dhe që e godasin me predha për 1500 ditë”, tha ai, duke iu referuar rrethimit të Sarajevës nga forcat serbe, nga viti 1992 deri në vitin 1995.
“Ne duhet të luftojmë kundër çdo lloj padrejtësie”.
Përktheu: Forca Jashari