Palestinezët kanë protestuar kundër gërmimeve izraelite në një varrezë myslimane në Jerusalem për të ndërtuar një park kombëtar. Kjo është vetëm një prej përplasjeve ndërmjet shtetit izraelit dhe palestinezëve në tokat e pushtuara
Pak metra larg mureve lindore të kompleksit të Xhamisë Al-Aksa ndodhet varreza shekullore “Al-Yousufiya”, e njohur gjithashtu si Varrezat Bab al-Asbat (Porta e Luanit).
“Al-Jazeera” shkruan se gjatë javëve të fundit, videot dhe imazhet e palestinezëve të kapur pas varreve të anëtarëve të familjes së tyre ndërsa forcat izraelite i arrestojnë, i rrahin dhe tentojnë t'i tërheqin me forcë kanë qarkulluar gjerësisht në mediat sociale.
Autoritetet okupuese izraelite në Jerusalem kanë vazhduar me planet për të ndërtuar një "park kombëtar" hebre, i cili do të hapet në mesin e vitit 2022 mbi pjesë të varrezave, që përfshin më shumë se 1.4 hektarë tokë.
Rojtarë të varreve
Tri javë më parë, punëtorët nga komuna e Jerusalemit të kontrolluar nga Izraeli dhe Autoriteti i Natyrës dhe Parqeve të Izraelit ekspozuan mbetje njerëzore gjatë gërmimeve, duke shkaktuar zemërim dhe duke lëshuar protesta dhe lutje të vazhdueshme në vend.
Që atëherë, palestinezët kanë rritur praninë e tyre në varreza, duke përfshirë ata që shkojnë për të mbrojtur të vdekurit e tyre, dhe janë përballur me forcat izraelite, të cilat u përgjigjën me gaz lotsjellës, granata trullosëse, rrahje fizike, arrestime, ndalime të përkohshme të individëve për të vizituar varrezat.
Të paktën tre palestinezë u plagosën dhe shtatë u arrestuan të premten pas lutjeve myslimane në vend, përveç dhjetëra të tjerëve gjatë javëve të fundit.
Një seancë dëgjimore pritet të zhvillohet në Gjykatën e Qarkut izraelit të Jerusalemit javën e ardhshme për një peticion të dytë të paraqitur nga avokatët palestinezë me qendër në Jerusalem kundër gërmimeve në vazhdim, shkruan “Al-Jazeera”.

Omar Rashadeh, 18 vjeç, është një nga palestinezët që u arrestua nga forcat izraelite në varreza më 25 tetor.
“Unë fal namazin e sabahut dhe më pas vij në varreza për të mbrojtur varrin e gjyshit tim dhe varret e të vdekurve myslimanë”, tha Rashadeh për “Al-Jazeeran”. “Forcat okupuese më sulmuan me rrahje të rënda gjatë arrestimit tim, ndërsa isha i pranishëm për të mbrojtur varrin e gjyshit tim”.
Pas arrestimit të tij, forcat izraelite e morën Rashadehun në pyetje, përpara se ta lironin të njëjtën ditë dhe t’ia shqiptonin ndalesën e përkohshme nga vendi i ngjarjes.
“Pavarësisht se ma kanë ndaluar, unë vij çdo ditë. Do të qëndroj këtu natë e ditë për të mbrojtur varrin e gjyshit tim, i cili vdiq vitin e kaluar dhe që ishte i dhembshur për mua për 17 vjet”, vijoi ai.
Përndjekja e të vdekurve
Varrezat “Al-Yousufiya” janë një nga monumentet palestineze dhe myslimane në Jerusalemin Lindor të pushtuar. Ajo daton në periudhën Ejubid, kur ndërtimi i saj u urdhërua nga udhëheqësi mysliman Salah al-Din al-Ayyubi, i njohur gjithashtu si Yousif bin Ejub bin Shahdan, dhe sipas të cilit varrezës i është lënë emri.
Ola Nababta, një nga gratë e filmuara javën e kaluar duke u kapur mbi varrin e djalit të saj ndërsa forcat izraelite përpiqeshin të gërmonin rreth tij, tha se ajo vinte në varreza dy herë në javë për t'u lutur për djalin e saj, Alaa.
“Mbi trupin tim të pajetë do të gërmojnë varrin e djalit tim”, tha Nababta për “Al-Jazeeran”, duke shpjeguar se si u rrah.
Nababta tha se dy djemtë e saj të tjerë, Bahaa dhe Ihab, janë varrosur në varrezat “Bab al-Rahma”, ku autoritetet izraelite kanë gërmuar gjithashtu varre dhe ku ata tani e ndalojnë varrimin.
"Varrezat Yousufiya dhe Varrezat e Dëshmorëve janë një vendvarrim për të gjitha familjet Jerusalemit", tha Nababta.
“Izraeli po i ndjek jerusalemitët, të gjallë dhe të vdekur, për të fshirë praninë e tyre në qytetin e tyre dhe për të kontrolluar dhe judaizuar qytetin”.
Përgatiti: Rexhep Maloku