Belgjika do të fusë në fuqi nga sot rregullat e udhëtimit për të parandaluar përhapjen e COVID-19.
Udhëtimet joesenciale ndalohen përkohësisht, nga 27 janari deri më 1 mars, për udhëtimet në dhe nga Belgjika, njofton Ambasada e Republikës së Kosovës në Bruksel. Përjashtime nga këto rregulla do të bëjnë vetëm kategoritë e caktuara, të tilla si:
-Udhëtime biznesi.
-Udhëtarët ndërkufitar do të lejohen të kalojnë kufirin për aktivitete që lejohen gjithashtu në Belgjikë pa kaluar nëpër karantinë, por për një periudhë deri në 48 orë.
-Arsye humanitare: ndihma për një person të moshuar, të mitur ose të pambrojtur ose një person me aftësi të kufizuara, vizita e një të afërmi në kujdesin paliativ dhe zhvendosjet për arsye mjekësore dhe vazhdimi i trajtimit mjekësor.
-Udhëtimi për studime: udhëtimi i nxënësve, studentëve dhe kursantëve në shkëmbim brenda kornizës së studimeve të tyre, si dhe studiuesve me një marrëveshje pritjeje.
-Arsye bindëse familjare: bashkimi familjar, vizitat tek një bashkëshort ose partner që nuk jeton nën të njëjtën çati (nëse mund të sigurohen prova të arsyeshme të një marrëdhënie të gjatë dhe të qëndrueshme), udhëtime për bashkë-prindër, dasma civile dhe fetare, funerale (i familjarit ose i të afërmit).
-Të ndryshme: kujdesi për kafshët, udhëtimet brenda kornizës së detyrimeve ligjore (nëse nuk mund të bëhen dixhitalisht), riparime urgjente brenda kornizës së sigurisë së një automjeti dhe ndërrim shtëpie.
Personat që udhëtojnë nga dhe në Belgjikë duhet të posedojnë deklaratë betimi që duhet të jetë e lidhur me Formularin e Vendndodhjes së Pasagjerit.
Karantina më e gjatë përfshinë udhëtarët nga Mbretëria e Bashkuar, Afrika e Jugut, Amerika e Jugut, të cilat duhet të hyjnë në karantinë për 10 ditë, me testim në ditën 1 dhe të 7.
Periudha e izolimit të detyrueshëm për ata që rezultojnë pozitiv për koronavirus është rritur nga shtatë në dhjetë.
Për jorezidentët kërkohen më shumë teste për COVID-19, një në nisje dhe një në mbërritje.