Bashkimi Evropian i ka vendosur sanksione kompanisë më të madhe në botë të minierave të diamantit dhe shefit të saj ekzekutiv, si pjesë e asaj që e quajti “angazhim të palëkundur” ndaj Ukrainës në luftën kundër Rusisë, raporton agjencia “AP”.
Lëvizja synoi kompaninë “Alrosa”, që përbën rreth 90 për qind të prodhimit të diamanteve të Rusisë, dhe shefin ekzekutiv të saj Pavel Marinychev.
BE-ja ka thënë se kompania “përbën një pjesë të rëndësishme të një sektori ekonomik që po siguron të hyra të konsiderueshme” për Moskën.
Nënkupton se asetet e “Alrosas” në Evropë do të ngrihen dhe qytetarët e BE-së dhe kompanitë do ta kenë të ndaluar të vënë fonde në dispozicion të kompanisë.
Marinychev, që u emërua shef ekzekutiv në majin e vitit të kaluar, po ashtu e ka të ndaluar të udhëtojë në Evropë.
BE-ja ka ndaluar më herët importin, blerjen dhe transferimin e diamanteve ruse si dhe bizhuterive me diamante nga 1 janari. Masa zbatohet për diamantet me origjinë nga Rusia, të eksportuara nga Rusia apo diamantet ruse që përpunohen diku tjetër.
“Këshilli Evropian konfirmoi angazhimin e palëkundur të BE-së që të vazhdojë të mbështesë Ukrainën dhe popullin e saj për aq kohë sa duhet”, është thënë në deklaratë të Këshillit.
BE-ja ka vendosur sanksione ndaj pothuajse 1950 individëve dhe “entiteteve”, të cilat shpesh janë kompani, banka apo agjenci qeveritare, pasi Rusia filloi pushtimin e shkallës së plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.