“Nuk ka kuptim që ne t’ia kthejmë shpinën njëri-tjetrit, njëjtë siç nuk ka kuptim as që të mendojmë se të tjerët janë duke kaluar shumë më mirë”, ka thënë kryetari i Parlamentit Evropian, David-Maria Sassoli, në një konferencë për media. “Sa më shumë unitet që të tregojmë, aq më shumë besim do të frymëzojmë”, ka shtuar ai. “Shpëtimi qëndron te bashkëpunimi”
Vendet e Bashkimit Evropian nuk duhet t’ia kthejnë shpinën njëra-tjetrës midis tensioneve në ngritje rreth furnizimeve me vaksinat kundër COVID-19, ka bërë thirrje të enjten kryetari i Parlamentit Evropian.
Thirrja për unitet është adresuar teksa liderët e bllokut kanë mbajtur bisedime virtuale për t’i diskutuar çështjet e furnizimit me vaksina dhe përmirësimit të distribuimit përreth 27 vendeve anëtare. Me këtë rast disa shtete kanë shpalosur ankesat se dozat nuk janë shpërndarë në mënyrë të barabartë. Ndërkaq është diskutuar edhe rreth propozimeve për ashpërsimin e kontrolleve për eksportim. Vendimi për këtë gjë ende nuk është marrë.
Kontrollet e tilla mund të ndikojnë në furnizimin e vaksinave për Mbretërinë e Bashkuar, ku kryeministri Boris Johnson ka paralajmëruar kundër zbatimit të “bllokadave”.
Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka shkruar në Twitter se samiti “do të garantojë që evropianët të sigurojnë një hise të drejtë të vaksinave”. Ajo ka shtuar gjithashtu se BE-ja ka shpërndarë rreth 77 milionë doza në 33 vende të botës që nga dhjetori, në atë që e bën bllokun eksportuesin më të madh botëror të vaksinave.
Një grup shtetesh të BE-së, udhëhequr nga Austria, kanë bërë thirrje gjithashtu për rishikimin e metodës së bllokut për distribuim, pas dështimit për të siguruar mjaftueshëm doza në fillim të vitit.
“Nuk ka kuptim që ne t’ia kthejmë shpinën njëri-tjetrit, njëjtë siç nuk ka kuptim as që të mendojmë se të tjerët janë duke kaluar shumë më mirë”, ka thënë kryetari i Parlamentit Evropian, David-Maria Sassoli, në një konferencë për media. “Sa më shumë unitet që të tregojmë, aq më shumë besim do të frymëzojmë”, ka shtuar ai. “Shpëtimi qëndron te bashkëpunimi”.
Shpërndarja e vaksinave në vendet e BE-së ka nisur me hapa të ngadaltë teksa blloku ka fajësuar kompanitë farmaceutike – në radhë të parë “AstraZenecan” – për mosdërgimin e dozave të premtuara. Mirëpo kompania ka mohuar se ka dështuar në respektimin e kontratës së saj.
Në një rast të veçantë, presidenti francez, Emmanuel Macron, është shprehur kritik ndaj BE-së, duke thënë se Evropa kishte gabuar në atë që e cilësoi si “mungesë të ambicies” për të investuar dhe siguruar më herët vaksinat kundër koronavirusit.
Në një intervistë për një televizion grek, Macroni ka bërë të ditur se blloku nuk ka qenë mjaftueshëm i shpejtë në sigurimin e prodhimit të dozave të vaksinës kundër koronavirusit. Ai ka shtuar gjithashtu se qëndrimi racional dhe mungesa e guximit nga evropianët ishin të gabuara. Andaj Macroni ka thënë se liderët e bllokut duhet të nxjerrin mësime nga këto gabime.
Që nga zhvillimi i vaksinave të para kundër sëmundjes COVID-19, Evropa si tërësi është përballur me probleme të shumta në shpërndarjen e vaksinës, shkaku i mungesës së dozave dhe problemeve me kontratat e blerjes së dozave nga kompanitë prodhuese. Gjendja është ndërlikuar edhe më tepër kur disa shtete evropiane e ndaluan përkohësisht përdorimin e vaksinës kundër COVID-19 të “AstraZenecas”, si pasojë e ngritjes së dyshimeve për shkaktimin e mpiksjes së gjakut.