Vendimi i Rusisë për t’i lehtësuar kriteret e sigurimit të shtetësisë ruse për qytetarët që jetojnë në rajonet separatiste të Ukrainës përbën një tjetër sulm të Moskës zyrtare ndaj sovranitetit të Ukrainës, ka bërë të ditur të enjten Bashkimi Evropian, duke u bërë thirrje autoriteteve ruse që ta ndalojnë këtë veprim.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka nënshkruar të mërkurën një urdhëresë, nëpërmjet të cilës thjeshtësohet procedura e sigurimit të një pasaporte ruse për banorët e Ukrainës lindore të kontrolluar prej separatistëve, duke nxitur me këtë rast thirrjet e Kievit për sanksione të tjera ndërkombëtare ndaj Moskës, ka raportuar “Reuters”, transmeton “Koha Ditore”.
“Nënshkrimi i presidentit Putin... është një tjetër sulm i Rusisë ndaj sovranitetit të Ukrainës”, ka thënë zëdhënësi i shefes për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Federica Mogherini. “Përzgjedhja kohore... flet rreth synimeve të Rusisë për ta destabilizuar akoma më shumë Ukrainën dhe përkeqësuar konfliktin. Presim që Rusia të përmbahet nga këto veprime, të cilat janë në kundërshti të plotë me marrëveshjet e Minskut dhe e pengojnë integrimin e plotë në Ukrainë të rajoneve që nuk janë në kontrollin e Qeverisë”, thuhet në reagimin e BE-së.