Bashkimi Evropian ka bërë një hap përpara drejt çlirimit nga varësia e tij prej importeve ruse të karburanteve fosile dhe diversifikimit të furnizimeve të tij me energji, shkroi të mërkurën “Euronews”.
Përfaqësuesit nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli Evropian kanë arritur marrëveshje të përkohshme në mëngjesin e së mërkurës për të lejuar vendet e BE-së të shtojnë kapitullin e quajtur “REPowerEU”, në planet e tyre kombëtare të rimëkëmbjes dhe elasticitetit pas COVID-it.
“REPowerEU” është një plan i zbuluar në maj nga Komisioni në përgjigje të luftës së Rusisë kundër Ukrainës për të përdorur 225 miliardë euro para të pashpenzuara, fillimisht të destinuara për të ndihmuar ekonomitë e bllokut të rimëkëmben nga rënia e tyre për shkak të koronavirusit, për të përshpejtuar tranzicionin e energjisë dhe për të diversifikuar furnizimet me energji larg Rusisë.
Marrëveshja do t'u mundësojë kryeqyteteve anembanë bllokut të marrin fonde thelbësore për investimet dhe reformat kryesore që mbështesin tranzicionin e energjisë dhe rritjen e elasticitetit të sistemit energjetik të BE-së.
"Ne realizuam atë që premtuam. REPowerEU do të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm. Përfunduam me sukses negociatat midis Parlamentit Evropian dhe Këshillit mbrëmë”, ka thënë Siegfried Muresan, zëvendëskryetar i Grupit PPE për Buxhetet dhe Politikat Strukturore. "Me 20 miliardë euro fonde të reja, REPowerEU do të mbështesë shtetet anëtare në reduktimin e varësisë së tyre nga karburantet fosile ruse. Gjithashtu do të përshpejtojë kalimin në energjinë e rinovueshme”, ka shtuar ai.
Rreth 30 për qind e fondeve të përfshira në planin REPowerEU do të caktohen për projekte ndërkufitare, pasi BE-ja dëshiron të krijojë një "Union Energjetik" të pavarur dhe autonom.
-
Evropa do të jetë “e pavarur nga energjia ruse deri në vitin 2030”
-
Pse pakoja 90 miliardë euro e BE-së është mbështetje jetike për Ukrainën?
-
BE-ja miraton paketën e 19-të të sanksioneve ndaj Rusisë
-
BE-ja planifikon ta ndalojë importin e gazit rus deri në fund të vitit 2027
-
Evropa ndalon naftën ruse lidhur me agresionin në Ukrainë