Bashkimi Evropian ka anuluar një propozim kundër pesticideve të martën, në një tjetër koncesion për fermerët, pas javë të tëra protestash ku u bllokuan kryeqytetet kryesore dhe linjat ekonomike në të gjithë bllokun 27-vendësh, raportoi AP-ja.
Ndonëse propozimi ishte “endur” nëpër institucionet e BE-së për dy vjet, vendimi i Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ishte treguesi i fundit se blloku është i gatshëm të sakrifikojë prioritetet mjedisore për të mbajtur komunitetin bujqësor në anën e tij.
Fermerët kanë këmbëngulur se masat si ajo për pesticidet do të rrisnin vetëm barrën burokratike, duke shtuar hendekun e çmimeve midis produkteve të tyre dhe importeve të lira të prodhuara nga fermerët e huaj.
"Propozimi i pesticideve është bërë një simbol i polarizimit. Për të ecur përpara, nevojitet më shumë dialog dhe një qasje tjetër”, ka thënë von der Leyen në Parlamentin Evropian në Strasburg të Francës.
Është e paqartë se kur do të hartohen propozimet e reja. Zgjedhjet parlamentare të BE-së janë caktuar për në qershor dhe gjendja e vështirë e fermerëve është bërë një pikë qendrore e fushatës, madje duke i lënë mënjanë çështjet klimatike gjatë javëve të fundit.
Sipas Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane të shumëpërfolur, BE-ja ka synuar një ulje prej 50% në përdorimin e përgjithshëm të pesticideve dhe substancave të tjera të rrezikshme deri në vitin 2030. Propozimi u kritikua si nga ambientalistët të cilët pretenduan se do të ishte i pamjaftueshëm për të arritur objektivat e qëndrueshmërisë, ashtu edhe nga grupet e bujqësisë që këmbëngulën se kjo do të largonte fermerët nga biznesi.
Vendimi për të hequr dorë nga propozimi për pesticidet përfaqësonte aktin më të fundit të vetëshpërblimit politik të BE-së si reagim ndaj protestave që kanë prekur jetën e përditshme të dhjetëra milionë qytetarëve të BE-së dhe i kanë kushtuar bizneseve dhjetëra milionë euro për shkak të vonesave të transportit.
Shumë politikanë, veçanërisht nga e djathta dhe skajet e saj, duartrokitën ndikimin e protestave.
“Rrofshin fermerët, traktorët e të cilëve po e detyrojnë Evropën të marrë mbrapsht marrëzitë e imponuara nga e majta”, tha ministri i djathtë i transportit i Italisë, Matteo Salvini.
Javën e kaluar, von der Leyeni njoftoi planet për të mbrojtur fermerët nga produktet më të lira të eksportuara nga Ukraina dhe për t'i lejuar fermerët të përdorin një pjesë të tokës që u ishte kërkuar të mbanin djerr për arsye mjedisore.
Komisioni Evropian do të shpallë më shumë masa të martën vonë se si të arrijë objektivat e tij të rrepta për të luftuar ndryshimet klimatike. Ambientalistët kanë frikë se mund të kenë më shumë lëshime edhe atje.
Protestat kanë vazhduar në shumë vende të BE-së.