Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Bastisen aktivistët e klimës në Gjermani për “formim të një grupi kriminal”

Policia e Gjermanisë ka kryer bastisje në shtatë shtete, në një hetim lidhur me pretendimet për përfshirjen e aktivistëve të klimës në formim apo mbështetje të një grupi kriminal, raporton BBC.

Shtatë persona të moshave nga 22 deri 38 vjet janë të dyshuar. Nuk raportohet për ndonjë arrestim.

Për muaj “Letzte Generation” (Gjenerata e Fundit) ka penguar trafikun në qytete të Gjermanisë dhe ka bërë aktivitete të ndryshme, si hedhje të patateve në një vepër arti.

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka dënuar fushatën e tyre, duke e quajtur “totalisht të çmendur”.

Afro 170 policë kanë marrë pjesë në bastisjet e të mërkurës nëpër apartamente e prona të ndryshme në Berlin, Bavari, Dresden, Hamburg apo qytete tjera. U mbyll uebfaqja e grupit dhe u ngrin dy xhirollogari.

Edhe Aktivistët e klimës dhe marrja peng e veprave të artit Shtojca për Kulturë Aktivistët e klimës dhe marrja peng e veprave të artit

Shtatë të dyshuarit akuzohen se kanë organizuar një fushatë për të marrë së paku 1.4 milionë euro në fonde kryesisht për të financuar “veprime të mëtutjeshme kriminale”.

Policia dhe Prokuroria kanë thënë se bastisjet kishin për qëllim për të zbuluar strukturën e anëtarësisë së “Letzte Generation”.

Dy aktivistë janë nën hetimin se vitin e kaluar kishin tentuar të sabotonin një gazsjellës që kalon nëpër Alpe nga qyteti italian Triste për në Ingolstadt.

“Letzte Generation” është duke bërë fushatë për të kufizuar limitin e shpejtësisë në autostrada në 100 kilometra në orë dhe javën e kaluar bllokoi 12 rrugë në Berlin, ku aktivistët janë lidhur kapur me ngjitës nëpër rrugë apo vetura.

Këto protesta kishin çuar në reagime të shoferëve ndaj tyre. Grupi luajti po ashtu rol kyç në protestat kundër zgjerimit të një miniere të hapur thëngjilli në Lutzerath në janar, ku në mesin e protestuesve ishte edhe aktivistja Greta Thunberg, që u arrestua përkohësisht.

Në tetor të vitit të kaluar dy aktivistë hodhën pire në pikturën e Claude Monet në një muze në Potsdam dhe ishin ngjitur me ngjitës në një mur.

Edhe Qindra policë gjermanë bastisin grupe kriminale të të rinjve neonazistë në 12 shtete Botë Qindra policë gjermanë bastisin grupe kriminale të të rinjve neonazistë në 12 shtete

Grupi “Letzte Generation” nuk është i kufizuar vetëm në Gjermani. Dy aktivistë të këtij grupi u ngjitën me ngjitës para Parlamentit të Austrisë në Vjen të mërkurën.

Në Itali, tre aktivistë italianë duhet të paraqiten të mërkurën në gjykatë pasi kishin ngjitur vetën me ngjitës në një skulpturë të një muzeu në Vatikan në gusht të vitit të kaluar.