Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Banda e armatosur rrethon një spital në Haiti

Një bandë e armatosur rëndë ka rrethuar një spital në Haiti të mërkurën, duke bllokuar gra, fëmijë dhe të sapolindur brenda. Sipas drejtorit të spitalit, i cili u lut për ndihmë përmes mediave sociale, kjo zgjati derisa erdhi policia,

Qendra Spitalore "Fontaine" në kryeqytetin Port-au-Prince ka një rol të madh për komunitetin e pushtuar nga bandat që po organizojnë sulme gjithnjë e më të dhunshme kundër njëri-tjetrit dhe banorëve.

Raportohet se njerëzit që jetojnë në lagjen e varfër të kryeqytetit “Cite Soleil” përdhunohen, rrihen dhe vriten.

Themeluesi dhe drejtori i spitalit, Jose Ulysse, ka thënë për Associated Press se bandat po digjnin shtëpitë përreth spitalit dhe po i pengonin njerëzit brenda të largoheshin. Ai fillimisht tha se dukej se disa anëtarë të bandës kishin hyrë në spital, por më vonë tha se nuk hynë brenda.

Ulysse ka theksuar se anëtarët e forcës së Policisë Kombëtare të Haitit iu përgjigjën thirrjes së tij për ndihmë dhe mbërritën me tre kamionë të blinduar për të evakuuar 40 fëmijë dhe 70 pacientë në një shtëpi private në një pjesë më të sigurt të qytetit. “Në mesin e atyre që u evakuuan kishte edhe fëmijë me oksigjen”, tha ai.

Edhe Shërbimet shëndetësore në Haiti mes kaosit Botë Shërbimet shëndetësore në Haiti mes kaosit

Ulysse identifikoi përgjegjësit si anëtarë të bandës së Bruklinit, të udhëhequr nga Gabriel Jean-Pierre, i njohur më mirë si “Ti Gabriel”. Jean-Pierre është gjithashtu udhëheqësi i një aleance të fuqishme bandash të njohur si G-Pep, një nga dy koalicionet rivale në Haiti.

Banda e Bruklinit ka rreth 200 anëtarë dhe kontrollon disa komunitete brenda Cite Soleil, duke përfshirë Brooklynin. Sipas një raporti të fundit të Kombeve të Bashkuara, ata janë të përfshirë në zhvatje, rrëmbim mallrash dhe dhunë të përgjithshme.