Njohësi i tregjeve financiare, njëherësh ish-bankier në Londër, Emanuel Bajra, ka thënë se SHBA-ja ka vendosur ta ndalin importin e gazit dhe naftës ruse.
Bajra përmes një statusi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se vendimi është marrë nga sot.
“SHBA-të ndalin importin e gazit dhe naftës Ruse prej ditës së sotme. Siç edhe e thashë në mëngjes, kjo ndodhi. SHBA-të imponojnë ndaljen e naftës vetëm - pra pa aleatët Evropian. Nafta po i kalon $200 p/f. Lidership. Vendosmëri. Seriozitet”, ka shkruar Bajra në Facebook.
Ai ka thënë se gjasat janë që Britania e Madhe ta ndjekë shembullin e SHBA-së dhe të imponojnë ndalje totale të importit të naftës e gazit Rus për në Britani.
Bajra ka shtuar se Britania është e varur me më pak se 5% nga importet e gazit Rus, përderisa BE-ja ka një varësi gati 40%, duke nënvizuar se kjo ka ardhur nga “pasojat e politikave të stërlodhura, nënshtruese e të buta të Angela Merkel ndaj Rusisë”.
Gjatë ditës së martë, edhe gjigandi i naftës Shell, me bazë në Londër ka vendosur që të ndalojë blerjen e naftës së papërpunuar ruse dhe do të mbyllë stacionet e benzinës në të gjithë vendin.
Shell ka thënë të martën se synon të ndalojë blerjen e naftës bruto ruse dhe planifikon të tërhiqet plotësisht nga industria ruse e energjisë.
SHBA-ja do të ndalojë sot naftën, gazin dhe qymyrin rus
Presidenti amerikan Joe Biden pritet të ndalojë sot importet e naftës, gazit natyror dhe qymyrit rus në SHBA, sipas tri burimeve të njohura me vendimin, raporton CNN-i.
SHBA-ja do ta bëjë këtë lëvizje në mënyrë të njëanshme, pa aleatët e saj evropianë, për shkak të mosmarrëveshjes midis kombeve evropiane nëse do të ndalojnë energjinë ruse. Vendet e BE-së kanë dukshëm më shumë ekspozim ndaj energjisë ruse sesa SHBA-së.
Zyrtarët amerikanë vendosën, duke pasur parasysh presionin ekstrem politik në vend, ata mund të lëviznin pa koalicionin dhe të mos krijonin çështje të mëdha.
Biden pritet ta bëjë publik lajmin në orën 16:45, sipas kohës në Kosovë.