Njëri pikturon me gishtërinj, tjetri me pajisje teknologjike. Dy artistë tajvanezë, të ndarë nga mosha, gjeografia dhe forma e artit, po shpalosin dramën politike në zgjedhjet e nxehta presidenciale të ishullit.
Kuan Ji, që e quan veten artisti i çmendur, pikturon me mjetet më bazike, duart e tij.
Ai pikturon në një fshat të bukur, të cilin e ka krijuar vet si atraksion turistik në qytetin e Tainanit. E në art thotë se mundohet të mos marrë kahe politike, raporton Reuters.
“Kam miq në dy anët, janë miq shumë të mirë”, thotë artisti që është akuzuar se ka pikturuar për kandidatët presidencial.
Në zgjedhje janë dy kandidatë, njëri që përkrah pavarësinë e Tajvanit nga Kina dhe tjetri që preferon të afrohet edhe më shumë me shtetin kinez.
Hani dëshiron të forcojë shtetin me lidhjet me Kinën, derisa Tsai është fort i popullarizuar te të rinjtë që preferojnë pavarësinë, transmeton KTV.
Në anën tjetër të ishullit në qytetin verior të Taojuanit, artisti Wei Zong-cheng, që përdor pajisjet teknologjike për artin e tij, nuk mund të qëndrojë neutral rreth politikës.
Ai ka kritikuar dy kandidatët që sipas tij i vizaton më bukur sesa që duken në jetën e përditshme.
Wei gjithashtu realizon karikatura për mediat tajvaneze, por zhvillimet e shpejta politike me skandalet e njëpasnjëshme, këto karikatura kanë pak ditë jetë.
“Kur një skandal i madh publikohet në mëngjes pas publikimit të karikaturës, do të thotë se nuk e kemi bërë të duhurën”, thotë artisti që pranon se shpesh duhet parashikuar ndodhitë politike.