Botë

Arsyeja shokuese e vdekjes së katër anëtarëve të një familjeje në Zvicër vitin e kaluar

Në Zvicër, katër anëtarë të një familjeje teoricienësh konspiracioni që besonin se bota ishte një vend i keq vdiqën marsin e kaluar pasi u hodhën nga kati i shtatë i një ndërtese.

Hetuesit përfunduan çështjen dhe informuan publikun se familja kishin planifikuar vetëvrasje kolektive, shkruan BBC. Familja u shpërngul nga Franca në Zvicër dy vjet më parë.

Një vajzë 8-vjeçare, një djalë 15-vjeçar, babai, nëna dhe motra e nënës patën rënë nga ballkoni i banesës.

Djali ishte në koma, por tashmë është rikuperuar nga lëndimet e rënda. Hetuesit thonë se ai nuk e kujton ditën fatale. Provat mjeko-ligjore nuk zbuluan asnjë shenjë të një përleshje para vdekjes dhe autopsitë nuk treguan gjurmë të substancave dehëse në trup.

Pas një viti hetimi, autoritetet zvicerane tani thonë se nëna e familjes dhe motra e saj ishin teoricienë konspirative dhe se po përgatiteshin për apokalipsin.

Pas vdekjes, policia pa se banesa e tyre ishte plot me ushqime, ilaçe dhe materiale higjienike, të ruajtura dhe të organizuara me kujdes. Familja dilte rrallë dhe fëmijët shkolloheshin në shtëpi.

Dy motrat kishin një dyshim të thellë ndaj qeverisë dhe autoriteteve lokale dhe i rritën fëmijët të besonin se bota ishte një vend armiqësor dhe i keq. Pandemia COVID-19 dhe pushtimi rus i Ukrainës vetëm sa e forcoi besimin e tyre.

Nga kontrollet në banesë dhe pajisje elektronike rezultoi se vetëvrasja kolektive ishte planifikuar me kujdes. 

Të rriturit me sa duket po prisnin momentin e duhur për të shkuar në një botë që ata besonin se do të ishte më e mirë, larg asaj që kishin frikë, thuhet në raportin e policisë. Një vizitë nga policia e Montreux ditën kritike duket se ka qenë katalizatori i vendimit të familjes për të kryer vetëvrasje.

Autoritetet zvicerane kërkuan nga publiku dhe gazetarët që të respektojnë privatësinë e djalit të mbijetuar.