Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Bisedimet e drejtpërdrejta mes SHBA-së dhe Iranit pritet të fillojnë në Zvicër, pavarësisht se ushtria iraniane ka deklaruar se ka mbyllur sërish Ngushticën e Hormuzit për shkak të sulmeve izraelite në jug të Libanit.

Irani gjithashtu ka përmendur shkeljen e marrëveshjes me SHBA-në për t'i dhënë fund luftës si një arsye për mbylljen e ngushticës. Megjithatë, ushtria amerikane ka deklaruar se "trafiku vazhdon të kalojë" përmes ngushticës.

Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance ka mbërritur në Zvicër herët të dielën në mëngjes. Rundi i ri i negociatave pritet të nisë më vonë gjatë ditës, raporton BBC.

Një delegacion iranian, ku përfshiheshin kryetari i parlamentit Mohammad Bagher Ghalibaf dhe ministri i Jashtëm Abbas Araghchi, ka mbërritur vonë të shtunën.

Zyrtarëve amerikanë dhe iranianë në bisedime do t'u bashkohen edhe kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, dhe shefi i forcave të armatosura të vendit, marshalli i fushës Asim Munir.

Pakistani ka vepruar si ndërmjetës gjatë gjithë luftës dhe ka pritur një rund të mëparshëm negociatash mes SHBA-së dhe Iranit.

"Pakistani do të vazhdojë të mbështesë zbatimin e mirëkuptimeve ndërmjet Iranit dhe Shteteve të Bashkuara", tha Ministria e Jashtme e Pakistanit në një deklaratë para bisedimeve.

Vance ka thënë se shpresonte të bënte përparim "në çështjen bërthamore" dhe në "çështjen e armëpushimit në Liban".

Duke folur me gazetarët para se të hipte në avion, ai është pyetur për përleshjet mes Izraelit dhe Hezbollahut si dhe për sulmet ajrore izraelite në jug të Libanit.

"Gjërat në fakt po përmirësohen atje dhe situata po qetësohet pak. Do të jetë diçka që duhet ta menaxhojmë vazhdimisht për të siguruar që si Izraeli ashtu edhe Libani të jenë të sigurt. Ky është në thelb qëllimi: ta bëjmë të gjithë rajonin të sigurt dhe të qëndrueshëm", u përgjigj ai.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, ka thënë se vendi i tij do të kërkonte që "pala tjetër të përmbushë angazhimet e saj".

Më herët gjatë kësaj jave, presidentët e SHBA-së dhe Iranit nënshkruan një marrëveshje fillestare që synon t'i japë fund luftës, përfshirë edhe konfliktin në Liban, me efekt të menjëhershëm. Marrëveshja përfshinte angazhimin për bisedime të mëtejshme me qëllim arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare brenda 60 ditëve të ardhshme.

Situatën e ndërlikojnë përleshjet e vazhdueshme mes Izraelit dhe Hezbollahut, grupit të mbështetur nga Irani që vepron në periferinë jugore të Bejrutit.

Të shtunën, të paktën 47 persona u vranë në Liban pas një serie sulmesh ajrore izraelite, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së vendit.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë se kishin goditur 80 objektiva të lidhura me Hezbollahun dhe kishin vrarë "dhjetëra" anëtarë të tij.

IDF gjithashtu deklaroi se katër ushtarë izraelitë u vranë.

Izraeli dhe Hezbollahu kanë vazhduar shkëmbimin e zjarrit që nga shpallja e marrëveshjes mes SHBA-së dhe Iranit, por të premten pasdite u konfirmua një armëpushim i menjëhershëm mes tyre.

Para marrëveshjes, Izraeli kishte deklaruar se nuk kishte ndërmend të tërhiqte forcat e tij nga Libani dhe kishte këmbëngulur se konflikti i tij me Hezbollahun ishte i ndarë nga lufta kundër Iranit.

Hezbollahu tha se sulmet izraelite në Liban ishin një përpjekje për të "sabotuar" marrëveshjen më të gjerë mes SHBA-së dhe Iranit.

Qeveria amerikane ka kritikuar operacionet e vazhdueshme izraelite në Liban, i cili u përfshi në luftë kur Hezbollahu lëshoi raketa drejt Izraelit në shenjë hakmarrjeje për sulmet amerikano-izraelite që vranë udhëheqësin suprem të Iranit.

Ministria e Shëndetësisë e Libanit tha se 4,057 persona janë vrarë që nga rifillimi i konfliktit mes Izraelit dhe Hezbollahut më 2 mars.

Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) deklaruan se sulmet izraelite në Liban shkelën angazhimet e armëpushimit dhe se Ngushtica e Hormuzit, e cila ishte rihapur pas marrëveshjes SHBA-Iran për t'i dhënë fund luftës, ishte mbyllur sërish.

Duke justifikuar vendimin për mbylljen e ngushticës, ushtria iraniane akuzoi SHBA-në për shkelje të marrëveshjes SHBA-Iran duke mos zbatuar pikën e parë të memorandumit me 14 pika, e cila parashikon "ndërprerjen e menjëhershme dhe të përhershme të operacioneve ushtarake në të gjitha frontet, përfshirë Libanin".

Megjithatë, pas deklaratës iraniane, zëdhënësi i Komandës Qendrore Amerikane (CENTCOM), Tim Hawkins, tha se "trafiku vazhdon të kalojë". Ai shtoi se forcat amerikane po "monitorojnë situatën për t'u siguruar që kjo të vazhdojë", duke theksuar se "Irani nuk e kontrollon Ngushticën e Hormuzit".

CENTCOM deklaroi se 55 anije tregtare kaluan përmes ngushticës të shtunën, duke transportuar më shumë se 17 milionë fuçi naftë për tregjet globale.

Trumpi kërcënon Iranin teksa zhvillohen bisedimet në Zvicër

3 muaj më parë / 21 qer 2026 15:56
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shkruar në Truth Social se Irani duhet të ndalojë përfaqësuesit e tij në Liban që të krijojnë probleme.

Trumpi e ka fjalën për grupin militant Hezbollah, të mbështetur nga Irani, i cili po vazhdon sulmet me Izraelin në jug të Libanit.

Presidenti amerikan ka kërcënuar se nëse Irani nuk e bën këtë, atëherë SHBA-ja do ta godasë sërish.

“Irani duhet t’i ndalojë menjëherë përfaqësuesit e tij shumë të paguar në Liban që të shkaktojnë probleme. Nëse nuk e bën këtë, ne do ta godasim Iranin shumë fort përsëri, ashtu siç bëmë javën e kaluar, vetëm më fort”, ka shkruar Trumpi. 

Deklarata e Trumpit vjen teksa në Zvicër po zhvillohen bisedimet SHBA-Iran, sipas marrëveshjes së nënshkruar nga të dy vendet këtë javë.

Sulmet Izrael-Hezbollah kanë rrezikuar marrëveshjen SHBA-Iran duke bërë që bisedimet që ishin paraparë të nisnin të premten, të shtyheshin për të dielën.

Irani këmbëngul se pa armëpushim në Liban, marrëveshja nuk do të ruhet.

Ndërkaq Izraeli thotë se nuk do të tërhiqet nga zona e sigurisë në Libanin jugor dhe se ushtria e tij është e lejuar të përgjigjet sa herë që ka sulme.

Vance: SHBA-ja e gatshme të transformojë rrënjësisht marrëdhëniet me Iranin

3 muaj më parë / 21 qer 2026 15:11
JD Vance

Photo: Associated Press

Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, ka thënë para takimit të nivelit të lartë me delegacionin iranian të dielën në Zvicër, se SHBA-ja është e gatshme të “transformojë rrënjësisht” marrëdhëniet me Iranin. 

"Asnjëherë më parë lidershipi iranian dhe amerikan nuk është takuar në një nivel kaq të lartë”, ka deklaruar Vance.

"Ajo që presidenti na ka kërkuar të bëjmë është të kthejmë një faqe të re për të transformuar marrëdhënien tonë me popullin e Iranit dhe të zgjasim një dorë të shtrirë që i thotë popullit të Iranit se nëse lidershipi juaj është i gatshëm të heqë dorë nga të qenit një nxitës i paqëndrueshmërisë rajonale, nëse ata janë të gatshëm të heqin dorë nga ambiciet e armëve bërthamore për një afat të gjatë, atëherë Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të transformojnë rrënjësisht marrëdhënien tonë me atë vend”, ka thënë Vance.

Ai ka shtuar se është bërë përparim i madh gjatë orëve të fundit dhe pritet që të ketë përparim shtesë në orët në vijim. 

Sipas Vance, negociatat teknike mund të mos zgjidhin çdo mosmarrëveshje, por siç ka thënë ato "na lejojnë të ulemi së bashku si ekipe për herë të parë në histori".

Irani thotë se SHBA-ja duhet ta pranojë të drejtën e tij për pasurim të uraniumit

3 muaj më parë / 21 qer 2026 14:48
shba-iran

Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian ka thënë të dielën se Irani do të ruajë të drejtën e tij për të pasuruar uranium, duke pretenduar se Shtetet e Bashkuara duhet ta pranojnë këtë.

"Ne nuk do t'i nënshtrohemi forcës, shtypjes dhe poshtërimit. As nuk do të heqim dorë nga e drejta e pasurimit. Dhe ata duhet ta pranojnë këtë", ka thënë Pezeshkian.

Ai i ka bërë komentet gjatë një takimi me zyrtarët bankarë të vendit.

Zëvendëspresidenti i SHBA-së JD Vance dhe zyrtarë të lartë iranianë kanë nisur negociatat në Zvicër të dielën, mbi programin bërthamor të Teheranit dhe për të hartuar marrëveshjen e përkohshme të brishtë për t'i dhënë fund luftës në Iran.

Korniza është nënshkruar javën e kaluar dhe tani negociatorët kryesorë të SHBA-së dhe Iranit kanë një afat 60-ditor për të arritur një marrëveshje mbi detajet teknike që kanë implikime të mëdha për ekonominë botërore dhe sigurinë globale.

Nisin në Zvicër bisedimet SHBA-Iran

3 muaj më parë / 21 qer 2026 14:18
Lucern

Photo: Associated Press

Bisedimet midis Iranit dhe SHBA-së, që synojnë të forcojnë marrëveshjen e përkohshme dhe të brishtë për t’i dhënë fund konfliktit, janë përballur me vështirësi, përfshirë vendimin e Iranit për ta mbajtur të mbyllur Ngushticën e Hormuzit në shenjë proteste ndaj paaftësisë së presidentit amerikan, Donald Trump, për ta detyruar Izraelin të ndalojë luftimet në Liban.

Ministria e Jashtme e Katarit, ka njoftuar përmes një deklarate të dielën pasdite se bisedimet tashmë kanë nisur. Ato po mbahen në një resort turistik në Lucern të Zvicrës.

Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, i cili udhëheq delegacionin amerikan, kishte deklaruar më herët se do ta shtonte çështjen e Libanit në agjendën, që fillimisht ishte konceptuar për t’u përqendruar te hapja e Ngushticës së Hormuzit, heqja e sanksioneve amerikane ndaj eksporteve iraniane të naftës dhe zhbllokimi i aseteve iraniane të ngrira jashtë vendit.

Delegacioni iranian udhëhiqet nga kryetari i parlamentit, Mohammad Bagher Ghalibaf, por prania e zëvendësministrit të naftës dhe guvernatorit të bankës qendrore të Iranit tregon se Teherani dëshiron të përqendrohet kryesisht te kushtet për heqjen e sanksioneve.

Ministria e Jashtme e Zvicrës ka thënë se delegacionet e SHBA-së dhe Iranit, si dhe ndërmjetësit nga Pakistani dhe Katari, janë të gjithë të pranishëm në resortin luksoz ku po zhvillohen bisedimet.

Izraeli thotë se nuk tërhiqet nga zona e sigurisë në Liban

3 muaj më parë / 21 qer 2026 13:29
Katz, ministri izraelit

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka deklaruar të dielën për Reuters se nuk ka pasur dhe nuk ka “asnjë kufizim” për ushtarët izrelitë, për të vepruar drejt eliminimit të kërcënimeve në Liban.

Ai po ashtu ka thënë se trupat nuk do të tërhqen nga zona e sigurisë atje.

Deklarata e tij vjen teksa në Zvicër janë mbledhur delegacionet e SHBA-së dhe Iranit, me ndërmjetësimin e zyrtarëve më të lartë të Pakistanit, për të nisur negociatat, siç parashihet me marrëveshjen e nënshkruar mes dy vendeve këtë javë.

Sulmet izraelite kanë vrarë të paktën 20 persona në Liban të shtunën, ka raportuar agjencia shtetërore e lajmeve të Libanit NNA, një ditë pasi një armëpushim me Hezbollahun i mbështetur nga Irani, ka hyrë në fuqi pas muajsh të dhunës në rritje.

Irani thotë se për t’u zbatuar marrëveshja me SHBA-në, lufta në Liban duhet të përfundojë

3 muaj më parë / 21 qer 2026 13:15
Masoud Pezeshkian

Photo: Associated Press

Marrëveshja e paqes mes SHBA-së dhe Iranit nuk mund të zbatohet nëse lufta në Liban nuk përfundon, ka deklaruar Seyed Mehdi Tabatabaie, zëvendësshef i Komunikimit dhe Informimit në Zyrën e presidentit të Iranit.

“Vazhdimi i krimeve të regjimit sionist në Liban do të çojë në pavlefshmërinë e të gjithë marrëveshjes,” ka shkruar ai në platformën X, përpara bisedimeve të së dielës në Zvicër.

Irani do të ngrejë çështjen e shkeljeve të marrëveshjes fillestare të paqes mes SHBA-së dhe Iranit në takimin e kësaj pasditeje, ka thënë negociatori kryesor iranian, Mohammad Bagher Baghaei, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Fars.

Një zëdhënës i ekipit negociator iranian ka thënë ndërkaq se plani i delegacionit iranian është që bisedimet të vazhdojnë deri mbrëmjen e së dielës dhe se nuk ka gjasa që ato të zgjasin më shumë.

Ndërkohë, presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, ka thënë se ish-udhhëheqësi Suprem i Iranit e kishte bërë të qartë se Teherani nuk dëshironte të zotëronte armë bërthamore, duke iu referuar kërkesave të SHBA-së që Irani të mos pajisej me një të tillë.

“E vetmja pikë për Amerikën është që ne të mos kemi një bombë atomike. Kjo është diçka që edhe lideri i martirizuar e ka thënë vazhdimisht: ne nuk duam një bombë atomike. Amerika tha ta shkruajmë këtë dhe ta nënshkruajmë, dhe ne e nënshkruam”, ka thënë Pezeshkian.