Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Arrestimin e aleatit Trumpi e quan “gjahu më i madh i shtrigave në histori”

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë të premten, menjëherë pas arrestimit të aleatit të tij të kahershëm politik, Roger Stone, se hetimet për ndërhyrjen e Rusisë në fushatën presidenciale të vitit 2016 janë “gjahu më i madh i shtrigave në historinë e vendit tonë”.

Ai me këtë rast ka thënë se nuk ka pasur bashkëpunim të njerëzve të fushatës së tij presidenciale me Rusinë.

“S’ka bashkëpunim!”, shkroi ai në “Twitter”.

Stone është arrestuar të premten nën akuzat për pengim, frikësim dëshmitarësh dhe deklarime të rreme lidhur me publikimin e emaileve të vjedhura nga Partia Demokrate gjatë fushatës presidenciale të 2016-s.

Stone u arrestua në orët e para të së premtes dhe do të paraqitet para drejtësisë federale në Fort Lauderdale, Florida. Ngritja e aktakuzës kundër tij u jep fund spekulimeve disamujore për paditjen e Stones në kuadër të hetimeve të Këshilltarit Special, Robert Mueller, rreth ndërhyrjes së pretenduar të Rusisë në fushatën e 2016-s për ta ndihmuar Trumpin që ta mposhtë rivalen demokrate, Hillary Clinton.

Edhe Arrestohet ish-këshilltari i Trumpit, Steve Bannon Botë Arrestohet ish-këshilltari i Trumpit, Steve Bannon

Stone ngarkohet me shtatë vepra penale, në kuadër të të cilave akuzohet se e gënjeu Kongresin rreth deklarimeve publike dhe komunikimeve të tija me të tjerët, duke sugjeruar se mund të ketë pasur dijeni paraprake për planet e publikimit të emaileve të hakuara nga WikiLeaksi.

Grant Smith, avokat i Stones, nuk iu përgjigj kërkesave për koment. Ndërkaq vetë Stone më herët i ka hedhur poshtë akuzat për ndonjë keqbërje. WikiLeaksi, së cilës aktakuza i referohet si “Organizata 1”, nuk pranoi që të komentojë rreth rastit.

“Aktakuza ndaj Stones nuk është e lidhur me presidentin apo Shtëpinë e Bardhë”, ka thënë zyrtarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders. “Akuzat e ngritura kundër Stones nuk kanë të bëjnë me presidentin, nuk kanë të bëjnë me Shtëpinë e Bardhë”, tha ajo. “Presidenti nuk ka bërë asgjë të gabuar”.

Në dokumente përfshihen hollësi të reja rreth aktiviteteve të ndihmësve të Trumpit, përfshirë këtu edhe një incident në të cilin një zyrtar i lartë i fushatës “është urdhëruar ta kontaktojë Stonen rreth publikimeve shtesë dhe rreth asaj se çfarë informate dëmtuese ka siguruar ‘Organizata 1’ për fushatën Clinton”.

Aktakuza i referohet një emaili të tetorit të 2016-s të “një zyrtari të lartë të fushatës Trump”, në të cilin Stone pyetet që të interesohet rreth publikimit të emailave në të ardhmen nga “Organizata 1”. Stone përgjigjet se “Organizata 1” do të publikojë “nga një mori çdo javë që tani e tutje”.

Zyrtari i nivelit të lartë është Steve Bannon, ish-shefi i fushatës së Trumpit, bën të ditur një person i afërt me çështjen. Bannon konsiderohet dëshmitar në hetimet e Muellerit dhe nuk është në rrezik që të paditet, tha burimi. As Bannon nuk iu përgjigj kërkesave për koment.

Edhe Mbi 3 vjet burg për aleatin e Trumpit, Roger Stone Botë Mbi 3 vjet burg për aleatin e Trumpit, Roger Stone

“Aktakuza nuk është e papritur, por është prapëseprapë e rëndësishme, shkaku se e potencon koordinimin në mes të fushatës Trump dhe WikiLeaksit”, tha Barbara McQuade, ish-prokurore e Michiganit.

Stone është akuzuar po ashtu edhe për pengim të një procesi zyrtar, për deklarim të rrejshëm dhe për frikësim të një dëshmitari, thuhet në aktakuzë. Akuzat ndërlidhen me dëshminë e Stones para Komiteteve të Kongresit që hetonin ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të 2016-s në SHBA.