Botë

Argjentina zotohet ta zhvendosë ambasadën në Jerusalem

Javier Milei

Presidenti argjentinas Javier Milei është zotuar të zhvendosë ambasadën e vendit të tij nga Tel Avivi në Jerusalem, ka thënë Ministria e Jashtme e Izraelit.

Milei mbërriti në Izrael të martën për vizitën e parë zyrtare në vend që kur mori detyrën në dhjetor. Ai u prit nga ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz, pas mbërritjes në aeroportin Ben Gurion.

Sipas një deklarate të Ministrisë së Jashtme izraelite, presidenti argjentinas ka thënë se do të zhvendosë ambasadën e vendit të tij në Jerusalem.

Kosova është në mesin e pesë shteteve që ka ambasadën në Jerusalem. Kosova hapi ambasadën e saj në Izrael në mes të marsit të vitit 2021, pas marrëveshjes paraprake për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, më 1 shkurt të atij viti. Krejt kësaj i parapriu marrëveshja e 4 shtatorit 2020 në Washington për marrëdhëniet ekonomike Kosovë-Serbi, e ku ishte përfshirë pika për njohjen e ndërsjellë Kosovë-Izrael.

Ambasadën në Jerusalem e ka edhe SHBA-ja, Guatemala, Hondurasi dhe Papua Guinenë e Re.

Jerusalemi ka qenë historikisht në luftë. Është vendi i shenjtë për judaizmin, krishterimin dhe islamin, dhe secila fe ka vende me rëndësi të madhe atje.

Qeveria izraelite e konsideron Jerusalemin si kryeqytetin e përjetshëm dhe të pandashëm të vendit, megjithëse nuk njihet ndërkombëtarisht. Palestinezët thonë se Jerusalemi Lindor duhet të jetë kryeqyteti i një shteti të ardhshëm palestinez.