Botë

Argjentina dëbon familjen e “bossit të mafisë” së Ekuadorit

Argjentina ka dëbuar gruan dhe fëmijët e Adolfo Macias, i njohur si “bosi i mafisë” në Ekuador.

Ministrja e Sigurisë së Argjentinës, Patricia Bullrich, tha se masa kundër familjes së Adolfo Macias Villamar tregon se Argjentina është një territor armiqësor për narko-kriminelët, shkruan BBC.

Bullrich bëri të ditur se tetë persona u dëbuan gjithsej, duke përfshirë bashkëpunëtorë dhe anëtarë të familjes.

Kreu i bandës mafioze, i njohur si Fito, është i lirë pasi u arratis nga një burg ekuadorian në fillim të këtij muaji.

Ekuadori është në një gjendje të jashtëzakonshme për shkak të trazirave në të paktën gjashtë burgje, ndërsa kërkimi mbarëkombëtar për bosin e krimit të organizuar është duke vazhduar.

Fito, i cili është kreu i bandës Los Choneros është akuzuar edhe për orkestrimin e dhunës në burg, iku nga qelia e tij në qytetin e Guayaquil.

Ai ka qenë gjithashtu i lidhur me vrasjen e Fernando Villavicencio, një kandidat presidencial kundër korrupsionit, i cili u qëllua për vdekje gushtin e kaluar.

Pas arratisjes, presidenti i Ekuadorit, Daniel Noboa, i shpalli luftë bandave të vendit dhe vendosi kushte të ashpra sigurie teksa vendimi i tij është pritur me nivele të paprecedentë dhune nga bandat e Ekuadorit.

Në fillim të kësaj jave, autoritetet thanë se kishin rifituar kontrollin e burgjeve të vendit pas shumë trazirave - por i arratisuri më i kërkuar i vendit mbetet i pakapshëm.

Noboa u ka bërë thirrje autoriteteve në Kolumbi që të fillojnë kërkimin për Fiton.