Një anije mallrash në pronësi japoneze u godit nga një raketë në brigjet e Ukrainës në Detin e Zi të premten, duke lënë të plagosur lehtë një anëtar të ekuipazhit, ka thënë të shtunën një zyrtar nga një firmë japoneze e transportit detar.
Zyrtari shtoi se në bord ishin 20 anëtarë të ekuipazhit.
Sipas një deklarate të lëshuar në faqen e Facebook-ut të Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës të shtunën, raportet paraprake tregojnë se raketa u lëshua nga forcat ruse dhe goditi pjesën e pasme të anijes së ngarkesave "Namura Queen" të premten.
“Në ndihmë ka ardhur rimorkiatori 'P&O STAR'. Situata është nën kontroll”, thuhet në postim.
Anija po lundronte nën flamurin panamez dhe po shkonte për në portin Pivdennyy.
Edhe
Anija ruse goditet me dron nga Ukraina
Transmetuesi publik japonez NHK raportoi të shtunën se ekuipazhi i "Namura Queen" janë të gjithë të sigurt. Ndërkohë, sipas një faqeje interneti që gjurmon pozicionet e anijeve, anija aktualisht është në rrugë për në Stamboll, Turqi.
Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës raportoi gjithashtu se një anije tjetër u granatua nga një luftanije ruse të premten. Bëhet fjalë për anijen "Millenial Spirit", e cila po lundronte nën flamurin moldav dhe mbante 600 tonë naftë në bord kur u godit. Dy anëtarë të ekuipazhit u plagosën rëndë si pasojë e sulmit, ka bërë të ditur ministria.