Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Andy Burnham merr zyrtarisht pozitën e kryetarit të Partisë Laburiste

Andy Burnham

Foto: Associated Press

Andy Burnham të premten u shpall zyrtarisht udhëheqës i Partisë Laburiste në pushtet në Britani, duke kapërcyer pengesën e tij të fundit për të marrë detyrën si kryeministër javën e ardhshme.

Në një konferencë të veçantë të premten, Burnham, ish-kryetar bashkie i Greater Manchester, tha se është gati për pushtet dhe do të punojë për t’u ofruar shpresë njerëzve në “vende të harruara kudo”.

“Ne jemi të bashkuar dhe e vëmë fuqinë që vjen nga ky unitet në shërbim të njerëzve dhe vendeve që kanë pritur shumë gjatë që politika t'i lejojë të shpresojnë përsëri”, tha ai në një sallë plot me ligjvënës të Partisë Laburiste dhe zyrtarë të partisë, ka raportuar Reuters. 

Ai gjithashtu i bëri nderime Keir Starmerit, njeriut që do ta zëvendësojë si kryeministër britanik të hënën.

Burnham u shpreh se është gati për të udhëhequr partinë dhe për ta ndërtuar atë mbi themelet e hedhura nga Keir Starmer. Ai tha se nën drejtimin e Starmer partia kaloi nga disfata e saj më e keqe në fitoren e saj më të mirë. Sipas tij Starmer e vuri Partinë Laburiste në një pozicion për të ndryshuar jetën e njerëzve.

Pavarësisht zotimit të tij për shpresë për vendet që ndihen të “lëna pas dore”, ka ende shumë për të ditur se si do të qeverisë Burnham.