Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Amerika do të fitojë vetëm kur të bjerë regjimi në Kinë

Ka dy rezultate të mundshme në garën ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës – por Washingtoni duhet të përgatitet për opsionin më të trazuar

Gara ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës ka nisur, por si do të përfundojë? – është dilema që e shtron revista politike “Foreign Policy”, që në hyrje të analizës së gjatë së cilës mundohet t’i japë përgjigje.

Ka një konsensus bipartizan se marrëdhëniet sino-amerikane do të përcaktohen para së gjithash prej rivalitetit në rajone të ndryshme dhe nga dimensionet e lidershipit shtetëror në vitet e ardhshme. Megjithatë, lidershipi amerikan ka pak qartësi se çfarë do të pasojë atëherë. Washingtoni e ka pranuar se ka një garë të fortë pa e identifikuar ndonjë teori të fitores. Nuk ka mungesë sugjerimesh, por liderët amerikanë ende nuk kanë artikuluar strategjinë se ku do të çojë kjo hasmëri, pos tensionet dhe rrezikut që ngërthen në vete.

Dilemat amerikane

Në shumë raste, administrata e ish-presidentit Donald Trump argumentonte se rivaliteti me Kinën ishte shkaktuar nga natyra e Partisë Komuniste, duke lënë të kuptohej se kjo hasmëri do të vazhdonte përderisa do të vazhdonte të mbahej edhe regjimi komunist i shtetit aziatik. Megjithatë, kundërthënshëm, Trumpi ngulmonte se administrata e tij nuk do të kërkonte që të ndryshonte modeli i regjimit të brendshëm të qeverisjes në Kinë. Ngjashëm, administrata e Bidenit e ka pranuar garën strategjike më Kinën – “garën ekstreme” siç i është referuar presidenti Joe Biden – pa e qartësuar publikisht se si mund të zgjidhet eventualisht kjo garë.

Ka shumë rezultate të mundshme të garës sino-amerikane, prej cedimit amerikan sferës së ndikimit Kinës, deri tek akomodimi i përbashkët, rënia kineze apo një konflikt botëror shkatërrimtar. Megjithatë, nëse qëllimi i garës është që të sigurohet paqe më e mirë me mjete të luftës së shkurtër, atëherë çështje vendimtare që do të shtrohet është nëse Shtetet e Bashkuara mund të arrijnë këtë rezultat duke ndryshuar mendësinë e liderëve kinezë – duke i bindur se ekspansioni dhe ndërhyrja janë të kota – ose nëse do të kërkojë rënie të fuqisë kineze ose rënie të Partisë Komuniste të Kinës.

Edhe Samiti Trump-Xi do të përcaktojë marrëdhëniet e superfuqive për shumë vjet Botë Samiti Trump-Xi do të përcaktojë marrëdhëniet e superfuqive për shumë vjet

Me pak fjalë, a mund të shpijnë tensionet sino-amerikane në një bashkëjetesë konkurruese? Ose a duhet që kjo hasmëri të kulmojë me dështim të regjimit nëpërmjet dobësimit ose evolucionit politik të sfidueses së Shteteve të Bashkuara? Zyrtarët amerikanë duhet të shpresojnë së pari për rezultatin e parë, por ata mbase duhet të përgatiten për mundësinë e dytë.

Bashkëjetesë në armiqësi?

Avokatët e bashkëjetesës konkurruese besojnë se Shtetet e Bashkuara mund t’ua ndryshojnë eventualisht mendjen liderëve kinezë, duke i bindur të mos kërkojnë dominim rajonal dhe të mos rrëzojnë rendin ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA-ja në Azi dhe përtej saj. Shpresohet se nëse SHBA-ja e demonstron gjatë një periudhe kohore prej vitesh se mund të ruajë një baraspeshë të favorshme në Paqësorin Perëndimor, t’i ruajë avantazhet e veta vendimtare ekonomike dhe teknologjike dhe që t’i mbajë koalicionet rajonale për të ruajtur normat dhe rregullat kyç, atëherë Pekini mund të përshtatë politika më pak malicioze.

Në asnjërin rast, marrëdhëniet ndërmjet Kinës dhe SHBA-së nuk është e thënë që patjetër të jenë më të harmonizuara; ende do të kishte elemente të garës ushtarake, ekonomike, gjeopolitike, teknologjike dhe diplomatike. Por Pekini do të reduktonte ashpërsinë e sfidës së vet, sidomos në çështje – si Tajvani dhe aleanca e strukturës amerikane në Azinë Lindore – ku bëhet fjalë për interesa jetike amerikane. Qëllimi, qoftë i kodifikuar prej marrëveshjes diplomatike ose pranimit implicit, do të sillte marrëdhënie më stabile aty ku reduktohet konflikti. Njëherësh do të ruheshin interesat vitale amerikane, duke zgjeruar gjithashtu edhe fushën e bashkëpunimit të mundshëm në fusha të caktuara, shkruan “Foreign Policy” në analizën e gjatë të ashpërsimit të marrëdhënieve ndërmjet dy fuqive të mëdha botërore.

Suksesi eventual i qasjes multidimensionale

Edhe Kina përgatitet për më shumë rivalitet ndërsa Trumpi pretendon fitoren Botë Kina përgatitet për më shumë rivalitet ndërsa Trumpi pretendon fitoren

Kjo teori e bashkëjetesës konkurruese do të përditësohej, por nuk do të hiqej dorë prej logjikës së politikës amerikane kundrejt Kinës në epokën e pasluftës së ftohtë. Kjo nënkupton se ende mund të përcaktohet sjellja kineze nëpërmjet një mori nismash, megjithëse do të kërkojë që të mbështetet më shumë në presionin kolektiv dhe më pak në joshje pozitive. Mban gjallë shpresën se Partia Komuniste Kineze mund të zbutë qëndrimin me kalimin e kohës: Edhe nëse presidenti kinez, Xi Jinping, ka zgjedhur konfrontimin, mbase pasuesit e tij do të jenë më të moderuar. FP-ja shkruan se kjo qasje bazohet në efikasitetin e diplomacisë sino-amerikane, jo vetëm për të shmangur luftën dhe për të identifikuar mundësitë për bashkëpunim në të ardhmen e afërt, por edhe për të eksploruar mundësinë e një shtegu më afatgjatë jetese.

Kjo qasje është atraktive për shkak se ofron mundësinë e suksesit strategjik pa rënie të protagonistëve. Megjithatë, shtron një mori dilemash. A nuk nënkupton se fakti se Kina ka shtuar agresivitetin jo vetëm rajonal, por edhe botëror, kërkon që me të duhet të merren amerikanët për vite me radhë? Në të vërtetë, nëse Xi ia del të mbajë pushtetin sa shefi i madh i dikurshëm Mao Zedong – deri në moshën 82-vjeçare – atëherë lidershipi i mishëruar me Xinë nuk do të ndryshonte së paku jo deri në vitin 2035. Shto këtu edhe domosdonë e gjetjes së një strategjie amerikane për t’i reduktuar sa më shumë që është e mundshme tensionet e përkohshme rajonale që do të mund t’i përçanin kundërshtarët. Këtë e kishin në mendje edhe liderët sovjetikë kur flisnin për “bashkëjetesën paqësore” dhe u munduan t’i reduktonin tensionet në vitet pesëdhjetë. Partia Komuniste Kineze mund të mos jetë më marksiste, por ka dalë prej së njëjtës traditë leniniste që sheh dinakërinë strategjike, ndryshimin e qëllimeve dhe hiletë e tjera si mjete thelbësore të rivalitetit gjeopolitik.

Aleatët ndërmjet dy zjarreve

Deri tani, detyra e mbështetjes në koalicione rajonale është ndërlikuar prej faktit se shumë aleatë dhe partnerë amerikanë në Azi, Evropë dhe gjetiu ende janë në kërkim të një riformësimi të marrëdhënieve që nuk do t’i vinin në situata të sikletshme ndërmjet dy zjarreve: Washingtonit dhe Pekinit. Pak vende do të mirëprisnin një strategji amerikane që shprehimisht predikon rënien e regjimit; në fakt vetëm përfolja e kësaj qasjeje në publik do të mund të vështirësonte mbështetjen në koalicione të nevojshme për të përmbushur sfidën që përbën Kina komuniste.

Edhe Kolumne Tri sfida për Evropën nga cilido president amerikan

Andaj, nuk është befasuese që ka shumë dykuptimësi në vlerësimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës se nga po shkon rivaliteti, sepse kërkesat për qartësi analitike duken të kundërta – tani për tani, së paku – me kërkesat e efikasitetin diplomatik.

Nuk ka zgjidhje të lehtë në kohën kur po bien kambanat. Eventualisht, Qeveria amerikane duhet të reflektojë lidhur me strategjinë e saj kundrejt Kinës: Nuk ka asnjë mundësi që të mbështetesh në përkushtimin e brendshëm dhe burimet e nevojshme për të pasur sukses nëse zyrtarët amerikanë vlerësojnë nevojën e një qasjeje të butë ndaj këtij problemi. Demokracitë nuk munden, dhe nuk duhet, të mbajnë një agjendë strategjike privatisht dhe një tjetër për publikun dhe konsumin ndërkombëtar. Në kohën jo fort të largët, mund të ketë arsye të mira për t’i spikatur aspektet praktike të ndërtimit të koalicioneve të nevojshme për t’iu kundërvënë Kinës, njëherësh të shtrohen qetas pyetje të ndjeshme se si mund të përfundojë krejt kjo. Por në planin më afatgjatë, është e zorshme të shihet se si Shtetet e Bashkuara mund të fitojnë rivalitetin përcaktues pa e pasur të qartë se çfarë po mundohen të arrijnë.