E lansuar në vitin 2019, “ConvrtX” pretendon të jetë “kompani sipërmarrëse, lidere në botë” që ka ndihmuar më shumë se 700 sipërmarrës aspirantë që të hapin kompanitë e tyre duke zhvilluar plane biznesi, duke krijuar projekte prezantimi për investitorë potencialë dhe duke krijuar faqe interneti dhe aplikacione të personalizuara për ta. Por, njerëz nga e gjithë bota i kanë thënë BBC-së se ia paguan kompanisë së Josh Adlerit deri në 245 mijë dollarë, por në këmbim nuk morën faqet e internetit dhe aplikacionet që prisnin
Ish-klientët e një sipërmarrësi kanadez të teknologjisë thonë se u zhgënjyen pasi ia paguan dhjetëra mijëra dollarë kompanisë së tij për t’i ndihmuar në lansimin e startup-eve të tyre.
Njerëz nga e gjithë bota - nga Skocia e deri te shtetet jugore të SHBA-së – i kanë thënë BBC-së se ia paguan kompanisë së softuerëve “ConvrtX” të Josh Adlerit deri në 245 mijë dollarë, por në këmbim nuk morën faqet e internetit dhe aplikacionet që prisnin.
BBC foli me më shumë se 20 ish-punonjës dhe klientë, të cilët thonë se Adler vazhdoi t’u shiste shërbime dhe t’u kërkonte më shumë para, pavarësisht se gjatë tërë kohës nuk kishte ofruar atë për çfarë klientët paguanin.
Në një letër drejtuar BBC-së, avokatët e Adlerit thonë se akuzat janë të rreme dhe janë nxitur nga një ish-klient të cilin ata do ta padisin.
Në letër thuhet gjithashtu se megjithëse Adler ishte “pa përvojë” kur themeloi biznesin e tij, në moshën 21-vjeçare, kompania e tij u bë shumë e suksesshme në një periudhë të shkurtër kohore dhe “shumica dërrmuese e klientëve ishin të kënaqur me punën e kompanisë”.
E lansuar në vitin 2019, “ConvrtX” pretendon të jetë “kompani sipërmarrëse, lidere në botë” që ka ndihmuar më shumë se 700 sipërmarrës aspirantë që të hapin kompanitë e tyre duke zhvilluar plane biznesi, duke krijuar projekte prezantimi për investitorë potencialë dhe duke krijuar faqe interneti dhe aplikacione të personalizuara për ta.
Po ashtu thuhet se kompania ka të punësuar 70 punonjës në të gjithë botën dhe operon nga Mbretëria e Bashkuar, SHBA-ja dhe Kanadaja. Adler drejton kompaninë nga Dubai.
Sipas dokumenteve të brendshme të kompanisë pretendohet se “ConvrtX” faturoi më shumë se 5 milionë dollarë në shitje për më shumë se 280 klientë vetëm midis viteve 2019 dhe 2023, por burime të larta thonë se kompania ka pasur pak histori suksesi.
Hetimi i BBC-së zbuloi se:
• Klientë thonë se i kanë shpenzuar kursimet e jetës dhe nuk kanë marrë asnjë produkt të qëndrueshëm - ata i thanë BBC-së se kanë marrë produkte nga “ConvrtX” të cilat nuk funksionojnë ose nuk përputhen me atë për të cilën kishin paguar.
• Klientë kanë pranuar kërcënime ligjore ose financiare pasi janë ankuar, përfshirë një grua së cilës i janë dërguar email-e të papërshtatshme dhe flirtuese nga një avokat që punonte për kompaninë.
• Dëshmi të rreme, kinse pozitive në faqen e tyre të internetit - njëra i atribuohet një personi i cili në fakt kishte kërkuar një rimbursim prej 18 mijë dollarësh nga kompania për shkak se kjo e fundit kishte shkelur kontratën mes tyre.
• “ConvrtX”, në faqen e saj të internetit, tani të çaktivizuar, pretendonte se ishte bërë pjesë e revistës “Forbes” dhe kishte një marrëdhënie pune me “Harvard Business Review” - të dy revistat e kanë mohuar këtë gjë.
Në përgjigje ekipi ligjor i Adlerit thotë se “ConvrtX” ka pranuar vetëm rreth 12-15 ankesa nga rreth 340 klientë, duke shtuar se pas incidentit të emaileve. ku njërës kliente i ishin dërguar mesazhe të papërshtatshme, kompania menjëherë e ka shkëputur kontratën me avokatin.
Udhëheqës i dobët
Amy (jo emri i saj i vërtetë), 37-vjeçe nga Mbretëria e Bashkuar, thotë se u mashtrua pasi pagoi 53 mijë dollarë në vitin 2021 për një faqe interneti dhe një aplikacion për organizatën e saj jofitimprurëse, e cila synon t’ua mundësojë njerëzve me probleme të fertilitetit kontaktin me surrogate të mundshme.
Ajo thotë se u detyrua të përballej me këtë gjendje për dy vjet, duke pranuar vetëm një faqe interneti të thjeshtë dhe asnjë aplikacion funksional, ndërsa Adler vazhdoi t’i kërkonte më shumë para.
Amy u bezdis shumë nga një mesazh që ajo thotë se ia dërgoi Adler, ku shfaqej një fotografi e tij duke festuar natën e Vitit të Ri në një plazh tropikal në Bali.
“Pse m’i tregon paratë? Është e turpshme”, i tha Amy, e cila kishte siguruar paratë përmes kredive, madje duke futur si hipotekë shtëpinë e saj.
Pas këtij rasti ajo kërkoi një rimbursim përmes bankës së saj dhe u ankua tek Avokati i Popullit i Mbretërisë së Bashkuar. Një zyrtar i lartë atje ka rekomanduar që banka t’ia kthejë Amyt 39 mijë dollarë, bazuar në dokumentet që ka siguruar BBC-ja. Ajo është ende në pritje që banka ta pranojë rekomandimin.
Si pjesë e procesit, dy ekspertë të softuerëve shqyrtuan aplikacionin e zhvilluar nga “ConvrtX”. Sipas tyre, provat mbështetin pretendimin e Amyt se kompania kishte shkelur kontratën duke mos ofruar shërbimin për të cilin ajo pagoi.
Në përgjigje avokatët e Adlerit thonë se klienti ka “pranuar një faqe interneti dhe një aplikacion telefoni të zhvilluar plotësisht nga ‘ConvrtX’”.
Ish-punonjësit e kompanisë thonë se Josh Adler, djali i Kerry Adler, një biznesmeni të pasur kanadez, udhëhiqej nga një kulturë paqëndrueshmërie, duke rezultuar në fluks të lartë të stafit dhe gabime për shkak të punësimit dhe shkarkimit të kontraktuesve të papërvojë.
BBC foli me shumë ish-punonjës, të cilët e përshkruan atë si të papjekur dhe udhëheqës të dobët.
Gjatë takimeve që ata kishin me të, ata thonë se ai “mburrej” që jetonte në “Emirates Palace Mandarin Oriental Hotel” në Abu Dhabi, mburrej që merrte me qira vilë në Bali dhe tregonte Porschen 911 të blerë rishtas, si dhe gjobat e shumëfishta si shkak i shpejtësisë së lartë.
Avokatët e Adlerit e përshkruajnë atë si “shumë ambicioz” dhe thonë se ai synonte të ndërtonte një biznes lider në botë, por jo i gjithë stafi i përmbushte standardet e tij të larta dhe për këtë shkak “pushoheshin” nga puna.
Disa ish-punonjës, të cilët mbanin pozita të larta në kompani, thanë se kishin shqetësime mbi mënyrën se si Adler e udhëhiqte kompaninë e tij, duke thënë se ai vazhdoi të merrte klientë të rinj edhe pas paralajmërimeve të tyre se disa ide biznesi dhe aplikacionesh ishin të paqëndrueshme ose të pamundura për t’u realizuar. Ata thonë se ai kërkonte kapar nga klientët, ndonjëherë deri në 53 mijë dollarë, megjithëse kompania kishte politika që nuk përfshinin rimbursimin.
Dy ish-punonjës madje pretendojnë se kur Adler informohej se disa aplikacione nuk funksiononin, ai u thoshte klientëve - kundër këshillave të ekipit të tij - se mund ta rregullonte problemin nëse ata paguanin më shumë para.
Dëshmitë e rreme
Një ish-klient, DeShawn Womack, thotë se u ndje “i përdorur” pasi i besoi “ConvrtX” në vitin 2021. Ai thotë se pagoi më shumë se 50 mijë dollarë për një aplikacion që do t’u lejonte përdoruesve të kyçeshin nga distanca në telefonin e tyre dhe të ruanin të dhënat në një pajisje tjetër, në rast se telefoni paraprak humbiste, vidhej ose dëmtohej.
Ai thotë se pranoi një prototip, por jo aplikacionin final funksional.
Pas dy vjetëve, gjatë së cilave Womack kryente pagesat, i dërgoi një mesazh një punonjësi të lartë të “ConvrtX”, duke kërkuar sqarime nëse aplikacioni i tij do të ishte në gjendje të sinkronizonte thirrjet e humbura dhe mesazhet zanore. Ai gjithashtu pyeti nëse aplikacioni do t’u lejonte përdoruesve që të bënin telefonata nga një pajisje tjetër duke përdorur të njëjtin numër, një veçori specifike që ai tha se Adler i kishte thënë se ishte e mundur dhe ishte e cekur në kontratën e tij me “ConvrtX”.
“Kjo është e pamundur, aplikacioni juaj nuk ka qenë kurrë i mundur, që në fillim”, u përgjigj punonjësi, në mesazhet e siguruara nga BBC-ja. “A ju tha dikush se kjo ishte e mundur?”
Womack u përgjigj: “Po, Josh [Adler] e bëri dhe plus është pjesë e kontratës”.
40-vjeçari, i cili thotë se i shpenzoi kursimet e jetës së tij në këtë projekt, i tha BBC-së se ndaloi së bëri pagesa shtesë pasi besonte se aplikacioni i tij nuk po zhvillohej siç duhej.
Avokatët e Adlerit thonë se ai mohon t’u ketë thënë klientëve se idetë e tyre ishin të zbatueshme kur në të vërtetë nuk ishin. Ata thonë se “ConvrtX” ishte gjithmonë i qartë në lidhje me vështirësinë e zhvillimit të një aplikacioni, por nëse klienti donte të vazhdonte, zakonisht merrte përsipër projektin.
Steven Marshall, 53 vjeç, thotë se u kërcënua me veprime ligjore nga “ConvrtX” kur kërkoi një rimbursim të plotë. Ai thotë se ishte “thellësisht i zhgënjyer” me punën, për të cilën kishte paguar 5.183 dollarë.
Edhe klientë të tjerë të mëparshëm thonë se janë përballur me kërcënime - përfshirë Ayesha Imran, e cila i tha BBC-së se kishte kërkuar një rimbursim prej 18 mijë dollarësh kur nuk mori aplikacionin që i ishte premtuar nga “ConvrtX” në vitin 2021.
Në mars të vitit 2023, ajo u ankua tek Adler për atë që ajo e përshkroi si shkelje të kontratës, për shkak të dështimit të “ConvrtX” për të përmbushur detyrat e saj.
Në ankesën e saj ajo shkroi se ishte informuar se Adler nuk po e paguante ekipin e tij për punën që duhej bërë, duke shkaktuar kështu vonesa për shkak të revoltës së stafit.
Zyrtari ligjor i kompanisë u përgjigj duke i thënë se Imran do të përballej me dëm prej të paktën 60 mijë dollarësh në rast se do të bënte publike ndonjë koment negativ në lidhje me “ConvrtX” ose nëse do të përpiqej që të kontaktonte me ndonjë nga punonjësit e saj. Ajo thotë se e shihte këtë si një përpjekje për ta frikësuar atë.
Pavarësisht përvojës së saj, Imran po paraqitej - deri muajin e kaluar - si dëshmitare e rreme në faqen e internetit të kompanisë.
“ConvrtX na ka ndihmuar të kalojmë nga vizioni, në lansim dhe na ka mbështetur në gjithçka tjetër”, thuhej në postim.
“Ato fjalë nuk më dolën kurrë nga goja”, thotë Imran, e cila na tregon se më parë i kishte kërkuar Adlerit ta hiqte atë postim.
Këtë vit Adler e riemërtoi “ConvrtX” dhe, derisa u kontaktua nga BBC-ja, po shiste “pako trajnimi” tetëjavore për 159 dollarë. Në një video promovuese, ai pretendonte se i kishte ndihmuar “pjesëmarrësit që të sigurojnë kapital - gjashtë, tetë, nëntëshifror e të ngjashme” dhe se kishte “ndikuar pozitivisht në 10 mijë jetë”.
BBC-ja i shkroi Adlerit duke e pyetur se mbi çfarë bazoheshin këto shifra, por avokatët e tij nuk iu përgjigjën kësaj pyetjeje.
Përmes një letre avokatët e Josh Adler thonë se ai i mohon “pa mëdyshje” akuzat. Ata pretendojnë se Adler dhe biznesi i tij janë “viktimat”.