Komiteti i medikamenteve njerëzore në Agjencinë Mjekësore Evropiane (CHMP), ka filluar rishikimin e vaksinës anti-COVID, Vidprevtyn, e zhvilluar nga “Sanofi Pasteur”, divizioni për prodhimin e vaksinave në kompaninë farmaceutike franceze “Sanofi”.
Vendimi i këtij komiteti për të filluar me rishikimin e kësaj vaksine bazohet në rezultatet paraprake nga studime laboratorike (të dhëna jo klinike) dhe studime të hershme klinike tek të rriturit, të cilat sugjerojnë se vaksina shkakton prodhimin e antitrupave që e sulmojnë SARS-CoV-2, virusi që shkakton COVID-19 dhe mund të ndihmojë në mbrojtjen nga sëmundja.
Agjencia Mjekësore Evropiane - “EMA” do t’i vlerësojë të dhënat ndërsa ato bëhen të disponueshme, për të vendosur nëse përfitimet i tejkalojnë rreziqet. Rishikimi do të vazhdojë derisa të ketë prova të mjaftueshme për një kërkesë zyrtare të autorizimit të hedhjes së kësaj vaksinë në treg.
“EMA” po ashtu do ta vlerësojë pajtueshmërinë e Vidprevtyn me standardet e zakonshme të BE-së për efektivitetin, sigurinë dhe cilësinë e vaksinave anti-COVID. Derisa Agjencia Mjekësore Evropiane nuk mund t’i parashikojë afatet kohore të përgjithshme, besohet se do të duhet më pak kohë sesa normalja për ta vlerësuar një aplikim eventual për shkak të punës së madhe që është bërë tashmë gjatë rishikimit.
Si pritet të funksionojë vaksina?
Edhe
Miratohet vaksina e re kundër koronavirusit
Vidprevtyn pritet ta përgatisë trupin për t’u mbrojtur nga infeksioni me SARS-CoV-2. Është një vaksinë me bazë proteinash që e përmban një version të rritur në laborator të proteinës spike e cila gjendet në sipërfaqen e SARS-CoV-2. Po ashtu e përmban një substancë shtesë për të ndihmuar në forcimin e reagimit të imunitetit ndaj vaksinës.
Kur një personi i jepet vaksina, sistemi i tij imunitar e identifikon proteinën spike si të huaj dhe krijon antitrupa kundër saj. Nëse më vonë, personi i vaksinuar bie në kontakt me SARS-CoV-2, sistemi imunitar do ta njohë proteinën virale dhe kështu do të jetë i gatshëm për ta mbrojtur trupin kundër virusit.