Një numër i madh afganësh janë nisur nëpërmjet kamionëve e autobusëve të martën nga Pakistani në drejtim të vendlindjes së tyre, raporton agjencia “AP” të martën.
Ata janë larguar nga Pakistani disa orë para skadimit të afatit të vendosur nga Qeveria pakistaneze që shënjestron të gjithë ata që ndodhen ilegalisht në vend.
Afati i vendosur ishte pjesë e një mase anti-migracion që Pakistani ka vendosur.
Kjo masë më së shumti prek afganët, të cilët përbëjnë numrin më të madh të imigrantëve në Pakistan.
Ka pasur kritika të shumta ndaj kësaj fushate të dëbimit si nga agjencitë e OKB-së, ashtu edhe nga grupet e të drejtave të njeriut dhe po ashtu nga autoritet talebane që udhëheqin në Afganistan.
Zyrtarët pakistanezë paralajmërojnë se personat që ndodhen ilegalisht në vend do të përballen me arrestim dhe dëbim pas 31 tetorit. Agjencitë e OKB-së thonë se ka më shumë se 2 milionë afganë që gjenden ilegalisht në Pakistan, të paktën 600 mijë prej tyre u larguan pas rikthimit të talebanëve në pushtet në vitin 2021. Edhe pse Qeveria këmbëngul se nuk po i synon afganët, fushata vjen në mes të marrëdhënieve të tensionuara midis Pakistanit dhe talebanëve.