Botë

Aeroplani i Ryanairit bën ulje emergjente në Berlin pas paralajmërimit se mund të ketë bombë

Foto: Reuters

Një aeroplan i Ryanairit ka bërë ulje emergjente në Berlin, para se të vazhdonte udhëtimin për në Poloni, ka njoftuar policia gjermane.

Fluturimi nga Dubai për në Krakovë bëri një devijim të papritur pasi u raportua për një kërcënim me bombë, njofton gazeta gjermane “Bild”.

Në aeroplan ishin 160 pasagjerë. Aeroplani u ul në aeroportin Berlin-Brandenburg në ora 20:00 të dielën, duke qëndruar në pistë deri në orët e hershme të së hënës.

Nga policia e Berlinit është thënë se është kontrolluar aeroplani dhe nuk është zbuluar ndonjë rrezik. Më pas është vazhduar fluturimi për në Poloni.

Incidenti vjen vetëm një javë pasi një aeroplan i Ryanairit u detyrua të devijojë për t’u ulur në Bjellorusi, ku u arrestua gazetari Roman Protasevich.

Në korrik të vitit të kaluar, një aeroplan tjetër i Ryanairit që po fluturonte nga Dublini për në Krakovë u detyrua të bënte ulje emergjente në Londër pas kërcënimit fals me bombë.