Botë

Administrata Biden i bën thirrje Kongresit të aprovojë ndihmat e reja për Ukrainën

Administrata Biden të hënën i ka dërguar Kongresit një paralajmërim urgjent se duhet të aprovohen dhjetëra miliarda dollarë në ndihmë ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën, duke thënë se përpjekjet e Kievit për ta mbrojtur veten nga pushtimi i Rusisë mund të dështojnë pa këtë ndihmë, raporton agjencia “AP”.

Në një letër dërguar krerëve të Dhomës së Përfaqësueseve dhe Senatit, drejtoresha e Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit, Shalanda Young, ka paralajmëruar se SHBA-së do t’i shteren fondet, për të dërguar armë dhe ndihma në Ukrainë, deri në fund të vitit.

Kjo do ta godiste rëndë Ukrainën.

Ajo shtoi se SHBA-së tashmë i kanë mbaruar paratë që i ka përdorur për ta mbështetur ekonominë e Ukrainës dhe “nëse ekonomia e Ukrainës shembet, atëherë Ukraina s’do të jetë në gjendje të vazhdojë të luftojë”.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka kërkuar një pako ndihme për Ukrainën dhe Izraelin dhe nevoja tjera, në vlerë afro 106 miliardë dollarë, por është përballur me sfida në Kongres.

Ekziston një skepticizëm në rritje në lidhje me përmasat e ndihmës për Ukrainën.

“Kongresi duhet të vendosë nëse do të vazhdojë të mbështesë luftën për liri në Ukrainë si pjesë e koalicionit prej 50 vendeve të cilën e ka ndërtuar presidenti Biden, apo nëse Kongresi dëshiron të injorojë mësimet që nxjerrim nga historia dhe të lejojë (presidentin rus Vladimir) Putin të mbizotërojë”, tha të hënën këshilltari për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan. “Është kaq e thjeshtë. Ne shpresojmë që Kongresi të bëjë zgjedhjen e duhur”.

Por, negociatat në lidhje me pakon për siguri u ndërprenë gjatë fundjavës, pasi republikanët insistuan në dispozita të cilat demokratët i quajtën drakoniane. Bisedimet pritet të rifillojnë këtë javë.

Lideri i republikanëve në Senat, Mitch McConnell të hënën tha se partia e tij është “ende duke negociuar”.

Kongresi tashmë ka ndarë 111 miliardë dollarë për ta ndihmuar Ukrainën, përfshirë 67 miliardë dollarë fonde ushtarake, 27 miliardë dollarë për ndihmë ekonomike dhe civile dhe 10 miliardë dollarë ndihmë humanitare.

Shalanda Young, ka paralajmëruar se fondet po mbarojnë.

“Ne nuk kemi para për të mbështetur Ukrainën në këtë luftë. Ky nuk është një problem i vitit të ardhshëm. Koha për të ndihmuar një Ukrainë demokratike që të luftojë kundër agresionit rus është tash. Është koha që Kongresi të veprojë”, tha Young.