Botë

Abazoviq: Nuk jap dorëheqje, fjalimi im në Srebrenicë ishte universal

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë të mërkurën gjatë një fjalimi në Kuvend, se nuk do të japë dorëheqjen dhe se fjalimi i tij në Srebrenicë, “ishte universal”, përcjell portali “CDM.me”.

Ndaj Abazoviqit janë shtuar thirrjet për dorëheqje pas dy veprimeve të tij, që opozita në Mal të Zi i quan skandale.

Abazoviq po kritikohet për miratimin e marrëveshjes themelore, në bazë të së cilës do të rregullohet marrëdhënia mes shtetit dhe Kishës Ortodokse Serbe. Kjo temë e mundon Malin e Zi tash e shumë vjet, por asnjë kryeministër nuk e kishte çuar deri në fund, pasi Kisha Ortodokse Serbe nuk e njeh Kishën Ortodokse të Malit të Zi.

Abazoviq arsyetoi edhe fjalimin e tij në përvjetorin e gjenocidit të Srebrenicës të shkaktuar nga forcat serbe më 1995, kur u vranë mbi 8300 myslimanë të Bosnjës. Ai gjatë fjalimit tha se “në Srebrenicë nuk janë mbytur myslimanët e Bosnjës, por njerëzimi”.

Kjo nxiti reagime të ashpra në Bosnjë dhe Mal të Zi. Gjatë seancës të së mërkurës, deputetë nga partia e presidentit Milo Gjukanoviq, thanë se “Abazoviqi e ka turpëruar Malin e Zi”.

Por Abazoviq e sheh ndryshe gjithë këtë.

“Kur kam zbritur nga skena, më ka përqafuar një nënë e Srebrenicës. Problem u bënë zgjedhjet në Bosnjë. Problemi është i natyrës tjetër. Problemi është se duhet mbytur frymën kosmopolitane të kryeministrit të Malit të Zi, jo vetëm në Mal të Zi”, tha Abazoviq.

Por me këtë nuk u pajtua deputetja e DPS-së, Draginja Vuksanoviq Stankoviq.

“Në Srebrenicë nuk mbajtët fjalim universal, por atë që ua ka shkruar Aleksandar Vuçiqi”, tha ajo.