Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

A rrezikohet efikasiteti i vaksinave nga mutacionet e reja?

Në analizën për revistën “Foreign Policy”, në të cilën thuhet se pavarësisht zhvillimit dhe aprovimit të disa vaksinave me të cilat tashmë po vaksinohen qytetarët në Britani të Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada e vende të Bashkimit Evropian, epidemiologia Deepti Gurdasani bën thirrje që të vazhdohet me respektimin e masave të rekomanduara prej ekspertëve të shëndetësisë - si mbajtja e maskës, pastrimi i duarve dhe ruajtja e distancës – si mekanizmi kryesor për të mos lejuar përhapjen masive të koronavirusit

“Ende nuk dihet nëse variantet e reja të koronavirusit mund të rrezikojnë efikasitetin e vaksinave. Por nuk duhet të ndryshojnë diçka të lidhura me qasjen tonë ndaj shëndetit publik”, shkruan Deepti Gurdasani, epidemiologe dhe ligjëruese e lartë në universitetin londinez, “Mbretëresha Mary”. Hulumtimi i saj shkencor përqendrohet në faktorët epidemiologjikë dhe gjenetikë që ndikojnë shëndetin botëror.

Në analizën e saj në revistën “Foreign Policy” thuhet se pavarësisht prej zhvillimit dhe aprovimit të disa vaksinave, me të cilat tashmë po vaksinohen qytetarët në Britani, Shtete të Bashkuara, Kanada e vende të Bashkimit Evropian, Deepti Gurdasani bën thirrje që të vazhdohet të respektohen masat e rekomanduara nga ekspertët e shëndetësisë, si mbajtja e maskës, pastrimi i duarve dhe ruajtja e distancës, si mekanizmi kryesor për të mos lejuar përhapjen masive të koronavirusit.

Megjithatë, shfaqja e dy varianteve të reja të koronavirusit në dhjetor në Mbretërinë e Bashkuar ka sfiduar autoritetet shëndetësore dhe shkencëtarët. Deri tani kompanitë “Pfizer” dhe “BioNTech” kanë siguruar se vaksina e tyre do të jetë efikase edhe ndaj mutacioneve të reja të koronavirusit. Raste të variantit të ri tashmë janë raportuar edhe në shtete të Azisë e në Australi. Autoritetet kërkojnë respektim të masave si mënyrë më e sigurt për t’u mbrojtur.

“Ne e dimë se çfarë duhet të bëjë njerëzimi. Por për të parandaluar raste të reja të virusit që po shfaqen prej specieve të tjera, qeveritë duhet të reformojnë urgjentisht praktikat bujqësore, të avancojnë masat e biosigurisë dhe në mënyrë aktive t’i ruajnë të dhënat e COVID-19”, thuhet në shkrimin e hulumtueses shkencore. Gurdastani ka bërë thirrje që të dhënat të shpërndahen botërisht , me qëllim që të mund të identifikohen menjëherë dhe kontrollohen shpejt, para se të përhapen në rajone të ndryshme.

Kina, ku i ka rrënjët pandemia e tanishme e koronavirusit, është kritikuar ashpër se fillimisht nuk i kishte ndarë të dhënat pas raportimit të rasteve të para në terren. Madje presidenti amerikan, Donald Trump, iu referua për muaj me radhë si “virusi kinez”, duke drejtuar gishtin kah Kina se kishte gënjyer ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për gjendjen faktike.

“Bota ka investuar miliarda dollarë në zhvillimin e vaksinës së koronavirusit. Tani që vaksinat e sigurta dhe efikase po ofrohen, është qenësore që të mbrohen këto resurse”, shkruan Gurdasan, duke vlerësuar se mënyra më e mirë për ta kontrolluar bartjen e virusit është përcjellja e kontakteve, testimet, izolimi, mbajtja e maskës dhe distancimi fizik.

Të dhënat tregojnë se variantet e reja të virusit me më shumë se 25 mutacione mund të barten shumë më lehtë dhe shumë më shpejt. Britania ka raportuar se varianti i parë i ri bartet për shtatëdhjetë për qind më shpejt.

“Vaksinimi natyrisht se është pjesë shumë e rëndësishme e kësaj strategjie, por duhet të jepet me metoda të sigurta”, ka shkruar Gurdasani në analizën e saj të gjatë në “Foreign Policy”. “Kontrollimi i pandemisë kërkon prej nesh të punojmë bashkërisht. Vetëm atëherë mund të mbrohemi nga kërcënimi real që përbëjnë mutacionet e virusit sot – dhe në të ardhmen”.

Artikuj të ngjashëm