Studiuesit thonë se anëtarët e së djathtës po përhapin dezinformata për gjuhën boshnjake në “Wikipedia”. Grupi i akademikëve pretendon se ky është një rast i “propagandës sistematike anti-boshnjake”, që përdoret për të “diskredituar historinë dhe identitetin boshnjak”
Në mars, një grup historianësh dhe ligjëruesish boshnjakë të shkencave politike vendosën t’i zgjerojnë faqet në gjuhën boshnjake në “Wikipedia”. Por, me të filluar të postonin shënime për historinë e Bosnjë-Hercegovinës ose popullit boshnjak, duke përdorur burime akademike të besueshme, menjëherë zbuluan se shumica e punës së tyre po fshihej nga administratorët – nganjëherë brenda sekondash, shkruan “Al-Jazeera”.
Ndonjëherë, faqet redaktoheshin shumë dhe futeshin gabime.
Jahja Muhasiloviq, një nga studiuesit që qëndron prapa kësaj nisme, i tha “Al-Jazeeras” se grupi i tij hasi në pasaktësi të përhapura lidhur me kombësinë dhe etninë boshnjake në vend, porse kur u përpoqën që ta adresonin çështjen, administratorët ua ndaluan llogaritë pa ndonjë shpjegim.
Deri në maj, tri nga pesë llogaritë e tyre u ndaluan, shkruan mediumi ndërkombëtar.
“Është absurde”
Edhe
Arratisja nga vendi i kaosit etnik
Ata vërejtën se administratorët do t’i ndryshonin detajet e figurave që kishin nënshtetësinë e tyre të listuar si boshnjakë për t’i karakterizuar ata si boshnjakë, kroatë ose serbë, thekson Muhasiloviq, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Ndërkombëtar të Sarajevës.
“Është absurde. Kombësia juaj nuk mund të jetë boshnjake, serbe apo kroate nëse jeni nga Bosnjë-Hercegovina. Kombësia juaj shkon me pasaportën tuaj ... ‘Boshnjakja’ do të ishte kombësia”, tha Muhasiloviq. “Ngjashëm, nëse jeni nga Kanadaja, nuk mund ta vendosni kombësinë tuaj si angleze ose franceze; ju keni kombësi kanadeze”.
Në një shembull tjetër të ndërhyrjes së dukshme, u fshi një shkrim mbi “Bosnjën”, me autorësi të një ligjëruesi të shkencave politike.
“Bosnja ekziston si një ide akademike. Ka njerëz dhe institute që e promovojnë këtë në Bosnjë”, tha Muhasiloviq për “Al-Jazeeran”. “Është shumë indikative që ata e fshinë këtë artikull specifik”.
Shkrimtarët e famshëm boshnjakë me etni boshnjake do të etiketoheshin gabimisht si serbë ose kroatë – ndryshime që ndodhin gjithashtu në faqen e Wikipedias në gjuhën angleze.
“Propagandë sistematike”
Grupi vuri re përmbledhje me fakte historike të lidhura me kriminelët serbë dhe kroatë të luftës dhe për masakrat e kryera kundër boshnjakëve në Bosnjë nga viti 1992 deri në 1995 në Wikipedia në gjuhën boshnjake.
Grupi i akademikëve pretendon se është ky një rast i “propagandës sistematike anti-boshnjake”, që përdoret për të “diskredituar historinë dhe identitetin boshnjak”.
“Më vonë, kur analizuam redaktimet e tyre, pamë se ata po detyrojnë nacionalizmin kroat përmes faqes Wikipedia të Bosnjës”, tha Muhasiloviq.
“Administratorët janë njerëz që duan ta ndajnë Bosnjën në tri pjesë – boshnjake, serbe dhe kroate – në interes të Serbisë dhe Kroacisë”.
Zëdhënësja e Fondacionit Wikimedia, Samantha Lien, i tha “Al-Jazeeras” se shqetësimet e akademikëve do të ndahen me vullnetarët e “Wikipedias” boshnjake për vlerësimin e tyre.
“Vullnetarët do të vlerësojnë çështjet e mundshme dhe do të përcaktojnë nëse nevojiten veprime për t'i adresuar ato – për shembull, duke vendosur paralajmërime ose blloqe”, tha ajo. “Nuk jemi një grup me qëllime të këqija”.
“Kroacia e Madhe dhe Serbia e Madhe”
Nacionalistët serbë dhe ata kroatë shpesh mohojnë ose kundërshtojnë ekzistencën e gjuhës boshnjake, të boshnjakëve dhe vendit të Bosnjë-Hercegovinës, si dhe shumë aspekte të tjera të lidhura me të.
Nacionalizmi i së djathtës ekstreme arriti kulmin gjatë viteve 1992-1995, kur forcat kroate dhe ato serbe sulmuan Bosnjën në një konflikt të armatosur ndërkombëtar që synonte krijimin e një Kroacie të Madhe dhe një Serbie të Madhe.
“Ua shpjeguam administratorëve se ne nuk jemi një grup me qëllime të këqija. Kemi diploma në histori, shkenca politike dhe do të donim që të kontribuonim në ‘Wikipedia’ në gjuhën boshnjake, pasi është më pak e përhapura në rajon për sa i përket përmbajtjes”, tha Muhasiloviq, duke shtuar se një nga kontribuuesit në ekip është drejtori i Institutit të Historisë në Sarajevë. “Por ata nuk donin t’i dëgjonin argumentet tona; menjëherë filluan të ndalonin llogaritë tona”, tha ai, duke folur për “Al-Jazeeran”.
Një profil i Wikipedias ka kaluar më shumë se 130,000 redaktime gjatë 11 vjetëve të fundit, duke shtuar të paktën rreth 25 redaktime në ditë.
Sipas profilit të tyre, ky administrator vullnetar u diplomua në Inxhinieri në Universitetin e Sarajevës, porse nuk ka kualifikime akademike për temat që mbulojnë.
Edhe
The Telegraph: Militantët serbë po luftojnë për Putinin dhe po përgatiten për një luftë të re ballkanike
“Besojmë se një grup i tërë po lobon prapa kësaj llogarie”, thotë Muhasiloviq.
Për vite me radhë, disa kroatë argumentuan se faqja e “Wikipedias” në gjuhën kroate ishte e mbushur me dezinformata. Në një moment, ministri kroat i Shkencës dhe Arsimit paralajmëroi studentët kundër përdorimit të platformës.
Ndikimi i konfirmuar
Fondacioni Wikimedia ka bllokuar më parë një administrator të “Wikipedias” për Kroacinë lidhur me shtyrjen e agjendave radikale të së djathtës me një grup miqsh.
Në një raport të kohëve të fundit, “Wikimedia” tha: “Në rastin e ‘Wikipedias’ në gjuhën kroate, artikujt e prekur nga revizionizmi historik dhe manipulimi i fakteve kanë qenë online dhe kanë ndikuar në sferën publike për më shumë se një dekadë”.
Grupi “shmangu me dashje shqetësimet legjitime në lidhje me paragjykimin e përmbajtjes dhe sjelljen problematike duke përdorur taktika të njohura të dezinformimit, duke përfshirë relativizimin e fakteve, atë që po ndodh, diskreditimin e pjesëmarrësve të tjerë dhe ngacmimet e drejtpërdrejta”, bëri të ditur Wikimedia.
Kjo çoi në “shtrembërim të thellë të përmbajtjes në qindra artikuj”, pasi grupi e ktheu projektin “në një burim propagande”.
Hetimi gjithashtu zbuloi se administratorët besonin se qëllimi i “Wikipedia” në gjuhën kroate “ka për qëllim shtetin-komb të Kroacisë dhe prandaj duhet t’i pasqyrojë pikëpamjet konservatore, patriotike”.
“Fushatë e organizuar dezinformimi”
Raporti i “Wikimedias” citoi një “fushatë të organizuar dezinformimi”, duke thënë se në të gjithë spektrin e gjuhës boshnjake-kroate-serbe kishte një “shtrembërim sistematik të fakteve” për kriminelët e luftës të dënuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për Jugosllavinë.
Artikujt e kriminelëve të luftës kroatë dhe serbëve të dënuar, si Slobodan Përalak dhe Ratko Mlladiq, u portretizuan pozitivisht.
Akuzat nuk u kontekstualizuan siç duhet, ndërsa disa sosh as nuk u përmendën, njoftoi “Wikimedia”, shkruan “Al-Jazeera”.
“Prania e zgjatur dhe e pakundërshtuar e përmbajtjes së njëanshme në një numër të madh artikujsh në linjë ideologjike mund të interpretohet si një fushatë e organizuar dezinformimi", tha ajo.
Lien i “Wikimedias” tha se modeli i “Wikipedias” mbështet “pavarësinë e redaktuesit dhe për këtë arsye Fondacioni nuk përfshihet shpesh në çështje që lidhen me krijimin dhe mirëmbajtjen e përmbajtjes në uebfaqe”. Por, për shkak të shqetësimeve në rritje, kur punësuan një ekspert të pavarur për të vlerësuar “Wikipedian” kroate, vlerësuan edhe disa pjesë të “Wikipedias” boshnjake si një "gjuhë pluricentrike”, tha Lien. “Komuniteti kroat i ‘Wikipedias’ ka ndërmarrë një sërë veprimesh administrative për t’i hequr vullnetarët problematikë nga projekti”.
Leksioni i luftërave të viteve ‘90
“Ky ndryshim po hap rrugën për një restaurim të komunitetit kroat të ‘Wikipedias’, i cili, nga ana tjetër, mund të ndikojë në ‘Wikipediat’ në gjuhën boshnjake, serbo-kroate dhe serbe pasi disa vullnetarë kontribuojnë në këto projekte”, shtoi ajo. “Vullnetarët e angazhuar sot po bëjnë përmirësime të prekshme në disa nga artikujt më të ndjeshëm dhe më të diskutueshëm në ‘Wikipedian’ kroate”, tha Lien për “Al-Jazeeran”.
Ndërkohë, Muhasiloviq dhe grupi i akademikëve boshnjakë shpresojnë ta shohin ndryshimin e faqes, pasi studentët e rinj në rajon shpesh përdorin “Wikipedia” për kërkime.
“Fatkeqësisht, përmes ‘Wikipedias’, ata janë ekspozuar ndaj këtij narracioni nacionalist dhe ne pamë se ku çoi kjo në fillim të viteve 1990”, tha Muhasiloviq, duke iu referuar konfliktit të armatosur ndërkombëtar në Bosnjë-Hercegovinë, i cili u mbështet nga Serbia dhe Kroacia.
Edhe Ekstremistët gjermanë tallen me viktimat e Srebrenicës“’Wikipedia’ është politizuar në atë masë sa fëmijët janë të ekspozuar ndaj informacioneve të rrejshme për historinë e tyre, politikën, apo për njerëzit e tjerë”.
Përgatiti: Rexhep Maloku