Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

A mund ta mposhtë Bideni Trumpin?

Foto: Reuters

Kur Barack Obama zgjodhi bashkëgaruesin e tij në zgjedhjet e vitit 2008, nuk kishte zgjedhur dikë si puna e tij, që do të mund të kthehej në person që lë shenjë në histori. Ai zgjodhi Joe Bidenin, i cili gjatë zgjedhjeve paraprake kishte thënë për Obaman: Dua të them... keni afroamerikanin e parë të spektrit të gjerë që është i artikuluar, i ndritur, i qartë dhe djalosh i pashëm. Dua të them, ai është njeri për histori librash”. Dhe, megjithatë, Obama ndau mendjen ta bënte bashkëgarues, shkruan "The New Statesman".

Dy dilemat e mëdha

Bideni kishte dekada të tëra me përvojë në Senat, sidomos në politikën e jashtme, që i mungonte kandidatit demokrat për president. Duke zgjedhur Bidenin, Obama dëshmoi se mund ta merrte në ekip një burrë më të moshuar, të cilit iu referua si “i artikuluar” dhe “i pastër”. Ai mund t’u thoshte votuesve, sidomos të bardhëve, se duke thënë “po, ne mundemi”, nuk kishte pse të ishte e frikshme. Shtetet e Bashkuara janë në një tjetër rrugëtim me Joe Bidenin, i cili po mundohet t’u thotë votuesve se çfarë do të pasojë nuk duhet të jetë e parashkruar; mund të jetë diçka e njohur, e dinjitetshme dhe e sigurt. Disa amerikanë duan t’i kthehen sensit të qetësisë e rehatisë, si dhe normalitetit në kulmin e pandemisë së koronavirusit. Ata e duan një president që nuk i konsideron njerëzit me të cilët nuk pajtohet tradhtarë, nuk i gjuhet shtypit si armik i popullit. Por, amerikanët e tjerë besojnë se “normalja”, me gjithë mungesën e funksionimit të një hiseje të shoqërisë dhe pabarazive të skajshme, është çfarë u ofron qytetarëve qetësi në këtë kohë të errët. Pyetja e parë e rëndësishme që duhet shtruar atëherë është: A mundet Bideni t’i bëjë për vete të dy grupet dhe ta fitojë garën për drejtimin e Shtëpisë së Bardhë. Pyetja e dytë që shtrohet është: Si do të dukej presidenca nën drejtimin e Bidenit?

Artikuj të ngjashëm