Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

75-vjeçarja akuzohet se ishte koka prapa komploteve terroriste në Gjermani

Një pensioniste që besohet të jetë drejtuesja e një grupi terrorist që planifikonte të sulmonte politikanët gjermanë dhe infrastrukturën energjetike, është lënë në paraburgim.

E identifikuar vetëm si Elizabeth R, mësuesja 75-vjeçare në pension dyshohet se ka qenë ajo që hetuesit e kanë quajtur "truri ideologjik" pas grupit të ekstremit të djathtë, i cili kishte planifikuar rrëmbimet dhe sulmet në objektet e energjisë elektrike që synonin të shkaktonin ndërprerje në të gjithë Gjermaninë.

Katër burra të lidhur me komplotet u arrestuan në prill. Ata u zbuluan se posedonin armë të rënda dhe se po përpiqeshin të siguronin lëndë shpërthyese, raportoi The Guardian.

Është ende e paqartë se sa afër ishte grupi me realizimin e qëllimeve të tij të supozuara, apo gjasat që ato të kishin sukses.

Holger Schmidt, një ekspert i terrorizmit, tha se ekzistenca e grupeve në internet që shprehnin dëshirën për të përmbysur qeverinë gjermane nuk ishte e pazakontë, por shpesh ndodhte që ata nuk kishin qëllim të vërtetë për të vënë në jetë planet e tyre. “Por me këtë grup, hetuesit po i marrin seriozisht kërcënimet e tyre veçanërisht pasi u zbulua se kishin në posedim armë të rënda dhe po përpiqeshin të merrnin materiale shpërthyese”, tha ai.

Edhe Arrestohen 25 persona në Gjermani, dyshohen për tentim grusht shteti Botë Arrestohen 25 persona në Gjermani, dyshohen për tentim grusht shteti

Një nga qëllimet e para të grupit ishte rrëmbimi i ministrit të Shëndetësisë të Gjermanisë, Karl Lauterbach, dhe nëse ishte e nevojshme edhe vrasja e tij. Ata gjithashtu planifikuan të shkaktonin një seri ndërprerjesh të energjisë në mbarë vendin duke sulmuar termocentralet.

Kur komploti u zbulua në prill pas arrestimit të katër burrave, Lauterbach tha: "Kjo është një pakicë e vogël në shoqërinë tonë, por ata janë shumë të rrezikshëm".