Familja pakistaneze merr lajm nga të afërmit e bllokuar në Gutën Lindore pas 36 vitesh

Familja pakistaneze merr lajm nga të afërmit e bllokuar në Gutën Lindore pas 36 vitesh

18 December 2017 14:54

Familja e një çifti pakistanez që ka mbetur i bllokuar në rajonin e Gutës Lindore i cili ndodhet i rrethuar nga regjimi i Bashar al Asadit në Siri, shpresojnë të bashkohen me të afërmit e tyre nga të cilët kanë marrë lajm për herë të parë pas 36 vitesh.

72 vjeçari Mahmut Fadil Eshref dhe bashkëshortja e tij 62 vjeçare Sekral Bibi, në vitin 1975 kishin shkuar në Siri me shpresë se do të gjenin punë. Çifti, i cili është detyruar të migrojë në mënyrë të vazhdueshme pas shpërthimit të luftës civile në Siri në vitin 2011, ka mbetur i bllokuar në Gutën Lindore.

Çifti pakistanez në Siri më herët për AA ka rrëfyer se po përpiqej të mbijetojnte me qumësht dhe vezë të përfituara nga një numër i vogël i kafshëve të cilat i posedojnë.

Ndërkaq, gazetari i AA-së në Pakistan ka arritur ta gjejë familjen e këtij çifti, e cila shpreson të kthehet sa më shpejtë në vendlindje.

Familja e çiftit jeton në një fshat të qytetit Gujrat në provincën Panxhab. Vëllai 78 vjeçar i Mahmut Fadilit, Muhammed Eshref, nuk arriti të përmbahet nga lotët kur shikoi pamjet e vëllait të tij.

Ai tregon se vëllai i tij për herë të fundit kishte ardhur në Pakistan në vitin 1981.

“Ne shumë herë insistuam që ai të kthehet prapa dhe të vazhdojë të jetojë këtu, por nuk u kthye. Allahu i ndihmoftë vëllait tonë. Nuk duroj dot ta shoh atë në këtë gjendje”, thotë ai.

Duke theksuar se dëshiron të takohet sa më parë me të, Eshref thotë: “Kërkojmë ndihmë nga qeveria të na ndihmojë që vëllai im, i cili po përpiqet të mbijetojë atje në kushte të vështira, të rikthehet në shtetin e tij”.

“Për fat të mirë, vëllai im është gjallë”

Eshref falënderoi AA-në për gjetjen e vëllait, për të cilin nuk kishte dëgjuar asgjë me vite të tëra.

"Për fat të mirë, vëllai im është gjallë. Jam mirënjohës ndaj jush për gjetjen e vëllait tim dhe sjelljen e informacioneve për të te ne”, theksoi Eshref.

Ndërkaq, Eshref kishte dy vëllezër, prej të cilëve më i vogli, Muhammed Ali, ka humbur jetën para pesë viteve.

Në Gutën Lindore, rajon që gjendet në kryeqytetin e Sirisë, Damask, rreth 400 mijë civilë janë të rrethuar prej pesë vitesh nga regjimi dhe forcat ushtarake mbështetëse të tij. Në rajon është e ndaluar edhe hyrja e ushqimeve elementare dhe barnave, që deri në muajin prill të vitit 2017 mund të hynin përmes rrugëve të fshehta.

Por, që nga periudha në fjalë, për shkak të shtrëngimit të rrethimit nga regjimi dhe grupeve të huaja terroriste mbështetës të regjimit, është bërë e pamundur futja e barnave dhe ushqimeve në rajon. Kjo gjendje e ka vështirësuar edhe më tej jetën e përditshme të popullit të këtij rajoni.

Guta Lindore, sipas marrëveshjes së arritur mes Turqisë, Rusisë dhe Iranit në Astana, ishte shpallur pjesë e zonës së deeskalimit. Megjithëse, armëpushimi ishte shpallur më 22 korrik, pjesëtarët e regjimit të Asadit e shkelin shpesh atë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme