Botë

Rreth 200 mijë persona që ishin nën kujdesin shtetëror në Zelandë të re u abuzuan, sipas hetimit

Zelanda e  re, abuzime, mbledhja e te mbijetuarve

Foto: Associated Press

Kryeministri i Zelandës së Re, Christopher Luxon, kërkoi falje dhe premtoi reforma të mërkurën, pasi një hetim publik gjeti se rreth 200 mijë fëmijë, të rinj dhe të rritur të cenuar janë abuzuar në kujdesin shtetëror dhe fetar gjatë 70 vjetëve të fundit.

Gati një e treta e fëmijëve dhe të rriturve të cenuar, që ishin në kujdes të shtetit nga viti 1950 deri në 2019 kanë përjetuar një lloj të abuzimit, sipas raportit, gjetje që mund t’i kushtojë qeverisë miliarda dollarë, raporton Reuters.

“Kjo është ditë e trishtë në historinë e Zelandës së Re. Si shoqëri dhe shtet, ne duhet të kishim vepruar më mirë dhe jam i vendosur se do ta bëjmë”, tha Luxon në konferencën për media. 

Një kërkim falje zyrtare do të pasojë më 12 nëntor.

Të mbijetuarit dhe mbështetësit e tyre kanë mbushur galerinë publike të Parlamentit teksa u debatua raporti. 

Raporti nga Komisioni Mbretëror i Hetimit iu drejtua mbi 2300 të mbijetuarve të abuzimit në Zelandën e Re, me popullsi 5.3 milionë. Hetimi detajoi një sërë abuzimesh në kujdesin shtetëror dhe atë fetar, duke përfshirë përdhunimin, sterilizimin dhe torturim me elektroshok.

Personat nga komunitetet indigjene Maori kanë qenë më të prekurit ndaj abuzimit, gjeti raporti, si dhe personat me probleme mentale dhe fizike. 

Liderët civilë dhe besimtarë kanë luftuar ta fshehin abuzimin, duke i zhvendosur abuzuesit në lokacione tjera dhe duke e mohuar fajësinë, me shumë viktima që kanë vdekur para daljes së tyre para drejtësisë.