Ish-kryebashkiaku grek i burgosur, Fredi Beleri, u lirua nga burgu në Shqipëri të hënën pasi iu dha një leje pesëditore për të marrë pjesë në seancën e hapjes së Parlamentit të ri Evropian në Strasburg.
Politikanit 51-vjeçar iu lejua lirimi nga 15 deri më 20 korrik.
Fredi Beleri ka udhëtuar fillimisht drejt Athinës, ku atje u prit nga kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis e më pas do të shkojë për t’u betuar si eurodeputet në Strasburg, raporton AP.
Ai duhet të qëndrojë në kontakt me policinë dhe të kthehet ta vazhdojë dënimin 2-vjeçar në burg. Beleris, i cili ka shtetësi greke dhe shqiptare, është deputet i Parlamentit Evropian. Ai fitoi një ulëse në legjislaturën e Bashkimit Evropian në zgjedhjet e muajit të kaluar, duke e përfaqësuar partinë qeverisëse konservatore “Demokracia e Re”.
Belerisi u dënua për ofrimin e 40 mijë lekëve për t’i blerë vota në zgjedhjet komunale të vitit të kaluar.
Rasti i Belerisit ka nxitur tensione mes Tiranës dhe Athinës, derisa Greqia konsideron se rasti mund ta dëmtojë aplikimin e Shqipërisë për t'u anëtarësuar në BE. Shqipëria si kandidate është në procesin e negociatave për anëtarësimin e plotë.