Botë

Perëndimi po përballet me një aleancë autoritare, thotë Stoltenberg

Jens Stoltenberg - NATO

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se NATO-ja po përballet me një aleancë të fuqive autoritare, e cila, siç ka thënë, po punon ngushtë kundër vendeve perëndimore. Ai ka përmendur vendet si Rusia, Kina, Irani dhe Koreja Veriore, për të cilat ka thënë se çdoherë e më shumë janë në një linjë. Duke folur për luftën në Ukrainë, kreu i NATO-s ka thënë se Ukraina mund të duhet të bëjë lëshime në fund

 Një “aleancë e fuqive autoritare” po punon më ngushtë së bashku kundër demokracive perëndimore, ka paralajmëruar kreu i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Në një intervistë për “Sunday With Laura Kuenssberg”, Stoltenbergu ka thënë se Rusia, Irani, Kina dhe Koreja e Veriut janë gjithnjë e më shumë në një linjë.

Ai ka shprehur bindjen se aleatët e NATO-s deri në korrik do të bien dakord për një marrëveshje afatgjate financimi për Ukrainën. Por ka shtuar se Ukraina mund të duhet të vendosë për një lloj “kompromisi”.

Në lidhje me konfliktin në Lindjen e Mesme, Stoltenbergu ka thënë se është “shumë e rëndësishme” që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera të NATO-s t’i përcjellin “një mesazh shumë të qartë Izraelit” se duhet të bëjë “në mënyrë të konsiderueshme më shumë” për t’i mbrojtur civilët dhe punonjësit e ndihmës pas sulmit ndaj kolonës së punonjësve të World Central Kitchen (WCK). 

Stoltenbergu ka marrë drejtimin e NATO-s, aleancës perëndimore të mbrojtjes, 10 vjet më parë. Duke folur në shënimin e 75-vjetorit të organizatës, ai ka thënë se bota tani është “shumë më e rrezikshme, shumë më e paparashikueshme dhe shumë më e dhunshme”.

Ai ka thënë se ekziston një aleancë “autoritare”, anëtaret e së cilës i japin njëra-tjetrës mbështetje praktike që është “gjithnjë e më shumë në një linjë”.

“Kina po mbështet ekonominë ruse të luftës, duke ofruar pjesë kyç në industrinë e mbrojtjes dhe në këmbim, Moska po i hipotekon të ardhmen e saj Pekinit”, është shprehur Stoltenberg.

Rusia po u ofron teknologji Iranit dhe Koresë së Veriut në këmbim të municioneve dhe pajisjeve ushtarake, sipas tij.

Stoltenbergu ka deklaruar se NATO-ja duhej të punojë me vende të tjera përtej gjeografisë së saj - si Japonia dhe Koreja e Jugut, për të “qëndruar kundër kësaj aleance më të fortë të fuqive autoritare”.

Shefi i NATO-s është përpjekur t’i bindë vendet e tjera që të japin më shumë para për përpjekjet e luftës në Ukrainë ditët e fundit me shpresën e një fondi pesëvjeçar prej 100 miliardë eurosh. Ai ka thënë se ka besim se do të arrinte një marrëveshje deri në korrik, pavarësisht se disa vende shprehën hezitim këtë javë.

“Mbështetja afatgjatë është jetike tani, dhe për ta rindërtuar vendin pas konfliktit. Edhe nëse besojmë dhe shpresojmë se lufta do të përfundojë në të ardhmen e afërt, ne duhet ta mbështesim Ukrainën për shumë vjet, për të ndërtuar mbrojtjen e saj, për të penguar agresionin e ardhshëm”, është shprehur kreu i NATO-s. 

Ndonëse ka thënë se mbështetja ushtarake është jetike për të zmbrapsur forcat ruse nga Ukraina dhe për të detyruar Putinin të heqë dorë nga qëllimet e tij të okupimit, Stoltenbergu ka theksuar gjithashtu se Ukraina në fund mund të duhet të bëjë gjithashtu lëshime.

“Në fund të ditës, duhet të jetë Ukraina ajo që vendos se çfarë lloj kompromisesh është e gatshme të bëjë. Ne duhet t’ua mundësojmë që të jenë në një pozicion ku në fakt arrijnë një rezultat të pranueshëm në tryezën e negociatave”, është shprehur Stoltenberg.

Ai ka shtuar se nuk po bënte thirrje që Ukraina të ofronte lëshime tani dhe ka deklaruar se “paqja e vërtetë” do të ishte e arritshme kur “Ukraina të triumfojë”. 

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka qenë gjithmonë i bindur se ai kurrë nuk do të negocionte me Putinin, pavarësisht disa thirrjeve që ta bënte këtë, duke përfshirë edhe thirrjet nga Papa.

Stoltenbergu ka refuzuar të flasë nëse ishte i shqetësuar për kthimin e mundshëm të Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, duke thënë se është i sigurt se SHBA-ja do të vazhdojë të jetë aleat i rëndësishëm, pavarësisht kush e udhëheq. Por vërejtjet e tij për mënyrën se si pushtetet në mbarë botën po punojnë së bashku, janë kujtesë për liderët perëndimorë se duhet ta bashkojnë diplomacinë.

Më shumë se dy vjet pas konfliktit në Ukrainë, politikanët duhet të përballen me realitetin se ajo që po ndodh atje ndikohet nga vendimet jo vetëm në Moskë dhe Kiev, por edhe në Washington DC, Bruksel dhe Londër, si dhe në Pekin, Teheran dhe madje edhe në Pheniani.

Ndërkohë, gjashtë muaj pas konfliktit të Lindjes së Mesme në Gaza, siç shkruan BBC, zgjidhjet ndikohen nga vendimet jo vetëm të izraelitëve dhe palestinezëve, por edhe të iranianëve, politikanëve në SHBA, Shtetet e Gjirit dhe Mbretëri të Bashkuar.