Sulmet ajrore izraelite kanë goditur rregullisht shtëpitë e familjeve të mbushura me civilë që nga fillimi i luftës në Gaza, madje edhe në Rafah, të cilën Izraeli e shpalli zonë të sigurt në tetor, por që tani është objektivi i radhës i ofensivës shkatërruese tokësore. Sulmet shpesh vijnë pa paralajmërim, zakonisht në mes të natës.
(AP) – U deshën 10 vjet pritje dhe tri tentime me fekondim invitro që Rania Abu Anza të mbetej shtatzënë dhe vetëm disa sekonda që ajo të humbiste binjakët e saj pesë muajsh, djalë dhe vajzë.
Një sulm izraelit goditi shtëpinë e familjes së saj në qytetin jugor të Gazës, Rafah, duke vrarë fëmijët e saj, burrin, 11 të afërm të tjerë dhe duke lënë nëntë të tjerë të zhdukur nën gërmadha.
Ajo ishte zgjuar rreth orës 22:00 ta ushqente djalin, Naeim dhe u kthye të flinte me të në njërin krah dhe vajzën, Wissam, në krahun tjetër. Bashkëshorti i saj flinte pranë tyre.
Shpërthimi ndodhi një orë e gjysmë më vonë. Shtëpia u shemb.
“Unë bërtita për fëmijët e mi dhe burrin tim”, ka treguar ajo të dielën, teksa qante dhe kishte vendosur batanijen e foshnjave në gjoks. “Ishin të gjithë të vdekur. Babai i tyre i mori dhe më la pas”.
Sulmet ajrore izraelite kanë goditur rregullisht shtëpitë e familjeve të mbushura me njerëz që nga fillimi i luftës në Gaza, madje edhe në Rafah, të cilën Izraeli e shpalli zonë të sigurt në tetor, por tani është objektivi i radhës i ofensivës shkatërruese tokësore.
Sulmet shpesh vijnë pa paralajmërim, zakonisht në mes të natës.
Izraeli thotë se përpiqet të shmangë dëmtimin e civilëve dhe fajëson grupin militant Hamas për vdekjen e tyre, sepse ai pozicionon luftëtarë, tunele dhe raketahedhës në zona të dendura banimi. Por ushtria rrallë komenton sulmet individuale, të cilat shpesh vrasin gra dhe fëmijë.
Ushtria nuk e komentoi menjëherë këtë sulm.
Nga 14 personat e vrarë në shtëpinë e Abu Anzëve, gjashtë ishin fëmijë dhe katër ishin gra, sipas Dr. Marwan al-Hamsit, drejtor i spitalit ku u morën kufomat. Krahas bashkëshortit dhe fëmijëve, Rania ka humbur edhe një motër, një nip, një kushërirë shtatzënë dhe të afërm të tjerë.
Farouq Abu Anza, një i afërm, tha se rreth 35 njerëz po qëndronin në shtëpi, disa prej të cilëve ishin zhvendosur nga zona të tjera. Ai tha se të gjithë ishin civilë, kryesisht fëmijë, dhe se mes tyre nuk kishte asnjë militant.
Rania dhe burri i saj, Wissam, të dy 29 vjeç, kaluan një dekadë duke u përpjekur të kenë fëmijë. Dy raunde të IVF-së kishin dështuar, por pas një të treti, ajo mësoi se ishte shtatzënë në fillim të vitit të kaluar. Binjakët kanë lindur më 13 tetor.
Më pak se një javë më parë, militantët e udhëhequr nga Hamas kishin sulmuar Izraelin jugor në një sulm të befasishëm, duke pushtuar komunitetet, duke vrarë rreth 1200 njerëz – kryesisht civilë – dhe duke marrë rreth 250 pengje, duke përfshirë fëmijë dhe një të porsalindur.
Izraeli u përgjigj me një nga fushatat ushtarake më vdekjeprurëse dhe më shkatërruese në historinë e fundit. Lufta ka lënë të vdekur mbi 30 mijë palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës. Rreth 80% e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh të Gazës kanë ikur nga shtëpitë e tyre dhe një e katërta e popullsisë përballet me urinë.
Ministria ka njoftuar muajin e kaluar se më shumë se 12.300 fëmijë dhe adoleshentë palestinezë ishin vrarë në luftë, rreth 43% e numrit të përgjithshëm. Gratë dhe fëmijët së bashku përbëjnë tre të katërtat e të vrarëve. Ministria nuk bën dallime ndërmjet civilëve dhe luftëtarëve në raportet e saj.
Izraeli pretendon se ka vrarë mbi 10 mijë luftëtarë të Hamasit, por nuk ka dhënë prova.
Për fëmijët që mbijetojnë, lufta e ka bërë jetën skëterrë, thonë punonjësit humanitarë.
Përgatiti: Blerta Haxhiu