Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Turqia mohon akuzat se ka kryer abuzime në Siri

Turqia ka hedhur poshtë pretendimet e Human Rights Watch (HRW) se shteti është përgjegjës për disa nga abuzimet dhe krimet e mundshme të luftës të kryera kryesisht kundër banorëve kurdë, në Sirinë veriore.

HRW-ja ka thënë në një raport prej 74 faqesh të publikuar të enjten se abuzimet e supozuara janë kryer nga forcat turke, dhe gjithashtu nga fraksionet e armatosura të mbështetura nga Ankaraja, në zonat që ata kontrollojnë në Sirinë veriore, raportoi AP.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Një zyrtar i lartë i Ministrisë së Jashtme turke ka mohuar akuzat të premten, duke këmbëngulur se raporti i mbikëqyrësit me bazë në New York "nuk pasqyronte realitetet në terren dhe injoroi shqetësimet e sigurisë së Turqisë”.

Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti në përputhje me protokollin e qeverisë, ka këmbëngulur gjithashtu se Turqia respekton plotësisht "ligjin ndërkombëtar humanitar".

Që nga viti 2016, Turqia ka nisur tre operacione të mëdha brenda Sirisë, duke synuar milicinë kryesore kurde të Sirisë - Njësitë e Mbrojtjes së Popullit ose YPG, një fraksion i mbështetur nga SHBA-ja që Turqia e konsideron si një organizatë terroriste dhe një shtrirje të Partisë së jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit ose PKK.

PKK-ja ka zhvilluar një kryengritje prej dekadash brenda Turqisë. Nga konflikti janë vrarë dhjetëra mijëra njerëz.

Raporti i HRW-së, i titulluar “Gjithçka është me fuqinë e armës: Abuzimet dhe mosndëshkimi në Sirinë veriore të pushtuar nga Turqia” – dokumenton akuza për rrëmbime, arrestime arbitrare, ndalime të paligjshme, dhunë seksuale dhe tortura.

Grupi i të drejtave të njeriut ka thënë se ka zbuluar gjithashtu se ushtria turke dhe agjencitë e inteligjencës ishin përfshirë në kryerjen dhe mbikëqyrjen e abuzimeve.