Botë

Komandanti rus përgjohet i nervozuar me ushtarët e vet në llogoret e Ukrainës

Ushtria ukrainase ka publikuar një përgjim të trupave ruse që dëgjohen duke komunikuar me radiolidhje për një betejë të rreptë. Në fushëbetejë me llogore thuhet se ishin dhjetë ushtarë rusë e një ukrainas, por ky i vetëm ia doli t’i vriste disa prej tyre dhe t’iu shmangej.

Në komunikimet e përgjuara të radios, që u publikuan në Telegram, dëgjohet komandanti rus që përpiqej të kontrollonte situatën duke thirrur “Vriteni këtë bastard, ju jeni dhjetë e ai i vetëm”.

“Ai po gjuan drejt jush, gjuani edhe ju. Shkoni dhe vriteni atë bastard. Hidhni granata mbi të. Dikush duhet të zbresë dhe të hedh një granatë aty ku është fshehur. Dhe pastaj ‘zogu’ s’do të bëjë asgjë, a më kupton? A munden 10 nga ju të shkatërroni një djalë që fshihet atje, apo jo”, thuhet në përgjimin e siguruar nga trupat ukrainase.

Sipas përgjimit, komandanti ankohet më pas se ushtari ukrainas po i vret i vetëm ushtarët rusë.

“A jeni në gjendje ta bëni këtë (vrasjen e ukrainasit v.j). Një djalë po ju pengon. Vetëm një, e ju jeni dhjetë! Ejani, zvarrituni, hidhni granatë në çdo që ka atje. Ndërpriteni këtë shaka”, ka shtuar ai.