Britania e Madhe ka hedhur ndihma ajrore në Gaza, për herë të parë që kur ka shpërthyer lufta, pas një marrëveshjeje me Jordaninë.
Katër tonë me furnizime, përfshirë ato medicinale, ushqime dhe karburante, janë lëshuar përmes një aeroplani ushtarak jordanez, të mërkurën, raporton BBC-ja.
Paketat e pajisura me parashuta u lëshuan në spitalin Tal Al-Hawa, në veri të Gazës.
Sekretari i jashtëm britanik, David Cameron, ka thënë se ndihma mund të shpëtojë jetë dhe ta mbajë spitalin funksional.
Deri më tani, Britania ka dërguar ndihma në Gaza vetëm nga toka dhe deti, por veriu i Gazës është i pamundur të arrihet pas gati pesë muajsh lufte atje.
Programi Botëror i Ushqimit ka pezulluar dërgesat atje pasi ekipet e tij kanë duruar “kaos dhe dhunë”, kanë deklaruar organizatorët.
Vlerësohet se 300,000 palestinezë kanë mbetur në veri të Gazës, me pak furnizime të ushqimit dhe ujit, derisa Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar me muaj për rritjen e urisë atje.